E Diel, 1 Nëntor 2026

“Censusi 2011”, Berisha: Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten ‘shqiptarë’, ata që derdhin lot krokodili janë të pashpresë dhe mjeranë

20-07-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot për herë të parë lidhur me “censusin 2011”, për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Berisha tha se nga ky proces, i cili është census dhe jo regjistrim, pasi nuk do jetë bazë për Regjistrin e Gjendjes Civile, nuk cenohet kombësia e shqiptarëve, pasi shqiptarët kanë identitetin e tyre dhe mbeten shqiptarë. Sipas tij, ata që derdhin lot krokodili se po humbet identiteti i shqiptarëve janë mjeranë dhe të pashpresë. “Kritikat e ligjit të regjistrimit janë mjerane dhe bëhen nga disa individëve për interesat e tyre vetjake dhe personale. Ata duan të vënë në dyshim identitetin dhe besimin e shqiptarëve për interesat e tyre. Ata që përpiqen të derdhin lot për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve, kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet. Ata janë individë të shkëputur, nuk kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare. Shqiptarët, për këta mjeranë kanë qenë shqiptarë kur nuk kanë patur universitete, alfabete, kur janë pushtuar. Shqiptarët kanë qenë shqiptarë dhe kanë mbetur shqiptarë.
Ç’janë këta që derdhin lot krokodili se po na kërcënohet identiteti? Këta janë të pashpresë për t’u shëruar në lidhje me identitetin. Por, shoqëria i pranon. Këta janë mjeranë dhe ateistë, që kanë frikë Zotin, ndaj dhe kërkojnë që mos të bëhet regjistrimi sipas fesë.
Mund t’i bëj unë me Zot ata? Nuk mund ta bëj këtë. Nuk mundet që ateistë që kanë tmerr Zotin, të na diktojnë ne ligjin për regjistrimin. Nuk ka asgjë që qytetarët të regjistrohen sipas besimit, sepse ata janë krenarë për besimin e tyre”- u shpreh kryeministri Berisha, duke u pozicionuar kështu kundër protestave të disa shoqatave të vend, të cilat operojnë me sipërmarrës politik. Ai tha se “ata që shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore për këtë gjë, i përdhosin këto karrige dhe Kushtetutën dhe janë më të mjerë se çakejtë e tyre, sepse çakejtë fshihen dhe kanë frikë të dalin në skenë”. “Çfarë t’u thuash këtyre njerëzve?
Ata janë të shpërbërë për vete si njerëz dhe nuk mund të na thonë ne se do shpërbëhet kombi”- tha Berisha. Ai vuri në dukje se, “regjistrimi i popullsisë është një akt i rëndësishëm. Regjistrimi ka një rëndësi shumë të madhe, sepse për herë të parë qytetarët regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër, me të ardhura të mesme dhe të larta, të një Shqipërie që nuk është më streha e mjerimit dhe varfërisë. Ky regjistrim bëhet në një realitet tërësisht të ri dhe pozitiv. Shqipëria ka shënuar një arritje të madhe, duke filluar që nga varfëria. Nga 25% që ka qenë 7-8 vite më parë, ajo tani ka shkuar në 12%. Të ardhurat gjatë këtyre 20 viteve janë rritur me 20 herë më shumë. Këto pasuri qytetarët do të kenë mundësi që t’i regjistrojnë me ligjin e ri”- tha më tej kryeministri.
Ai adresoi një apel shumë të qartë ndaj mediave, të cilat sipas tij duhet të pasqyrojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe jo të merren me çështje anësore dhe pseudo personazhe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›