Censusi, “AK”: Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Aleanca “Kuq e Zi”, i ka bërë apel qeverisë për censusin, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga qyteti i Lushnjes, “AK”, ka kërkuar ndryshimin e formularit të regjistrimit dhe heqjen e pyetjes për përkatësinë etnike dhe besimin fetar.
“Të zbardhen të gjitha falsifikimet e kombësive. Të mos pranohen kërkesat e OMONIA-s dhe të Athinës. Jemi pro regjistrimit, të hiqet pyetja për fenë dhe etninë”, u shprehën aleatët e saj.
“Aleanca Kuq e Zi”, është takuar sot me banorë të Lushnjes, në kuadër të “Maratonës Kuq e Zi” për të kundërshtuar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e gjendjes civile, që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj. Në një vendim që u mor me 6 vota pro dhe 2 kundër gjykata kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues një ligj të tillë.
Gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me nenet 19 e 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit "kombësia" të ligjit "Për gjendjen civile”.