Censusi, PDIU dënon ashpër deklaratat e Dollis

Kreu i PDIU, Shpetim Idrizi
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, në një reagim të saj të ashpër, i ka quajtur ndërhyrje në çështjet e brendshme të Shqipërisë, deklaratat e zëvendësministrt të Jashtëm të Greqisë, Dimitris Dollis gjatë një aktiviteti të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pak ditë më parë. Dollis deklaroi ndër të tjera se censusi i popullsisë nuk arriti të kryejë atë që kërkonte minoriteti dhe se duhet deomos të rehabilitojmë këtë boshllëk të lënë si pasojë e veprimeve të qarqeve nacionaliste.
PDIU i ka dënuar këto deklarata, të cilat për të janë të papranueshme, aq më tepër kur bëhen në prani të përfaqësuesve të lartë të mazhorancës dhe të opozitës.
Mënyra se si do të kryhet procesi i censusit në Shqipëri, është një çështje e brendshme e shtetit shqiptar, thuhet më tej në deklaratëne PDIU-së, në respektim të plotë të Kushtetutës, e si pasojë të të gjitha traktateve ndërkombëtare, përfshi dhe traktetet për mbrojtjen e minoritetit.
Amendamentet e PDIU-së, në ligjin për censusin ishin pikërisht në këtë frymë. Ne amenduam ligjin në fjalë duke shtuar atë që është e vetkuptueshme, që çdokush ka të drejtë të vetëdeklarohet, por vetëdeklarimi i tij nuk mund të jetë i rremë. Zyrtarët e shtetit grekë janë të fundit që mund të akuzojnë PDIU-në për qëndrime shoviniste, aq më tepër ndaj vëllezërve tanë minoritar, të drejtat e të cilëve janë të garantuara nga shteti shqiptar dhe të mbështetura nga PDIU.- theksohet në reagimin e PDIU-së.
Duke u shprehur se deklarimet e Dollis kundër ndryshimeve ligjore, tregojnë qartazi ëndërrat irredentiste të Athinës zyrtare, PDIU shprehet se; Nëpërmjet këtyre deklaratave Greqia po pranon zyrtarisht që qëllimi i tyre nuk ishte deklarimi i lirë i kombësisë nga minoritarët, por qëllimi i tyre ishte deklarimi i rremë si grekë, i shqiptarëve që për arsye të përballimit të jetës kanë marrë pensione nga Greqia, ose kanë leje qëndrimi të dhëna nga shteti grek.
Sipas PDIU-së, amendamentet e bëra nga ajo në parlament kanë frenuar orekset shoviniste për të rihapur çështje minoritetesh të stisura në Shqipëri.
Athina zyrtare nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështje të tilla, sepse Shqipëria është dhe do të mbetet shtet unitar dhe jo multietnik.- thuhet në reagimin e PDIU-së.
Në përfundim të ragimit, PDIU i ka bërë thirrje INSTAT që të publikojë sa më shpejt të dhënat e censusit, në përputhje të plotë me amendamentet e PDIU-së, që ndalojnë çdo formë abuzimi me kombësinë.