E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Motoja jonë, ‘kufij të hapur por të sigurt’”

08-10-2011 / Gazeta 55

Ministri i brendshëm Bujar Nishani

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaroi dje se rezultatet konkrete në kontrollin e kufirit ishin një nga faktorët kryesorë që çuan në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen”, ndërkohë deklaroi angazhimin e Policisë së Shtetit e në veçanti të policisë kufitare dhe migracionit për të garantuar kufij të hapur, por të sigurt.
“Policia e Shtetit gjatë këtyre viteve të fundit ka treguar se kur vullneti politik ekziston së pari, kur niveli profesional i punonjësve të saj ekziston së dyti, kur pajisjet dhe teknologjia bëhen pjesë e aktivitetit të tyre të pandalshëm, rezultatet në luftën ndaj krimit janë evidente dhe të dukshme. Shqipëria dhe policia e saj kufitare sot konsiderohet si një partner serioz i aleatëve dhe partnerëve të saj në luftën ndaj krimit të organizuar dhe veçanërisht ndaj trafiqeve. Lufta ndaj trafikut kryesisht në hapësirën detare ka qenë një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare. Jo vetëm vendimet e mençura të qeverisë dhe parlamentit shqiptar për moratoriumin e skafeve, por edhe një sërë vendimesh të rëndësishme në aspektin legjislativ, në aspektin strukturor, në aspektin organizativ dhe atë të pajisjes me teknologjinë bashkëkohore, kanë sjellë rezultate konkrete”, u shpreh Nishani.
Ai evidentoi se nëse gjatë vitit 2004 policia e kufirit të vendit fqinj, Italisë, deklaronte se kishte sekuestruar rreth 1050 kg heroinë të trafikuar nga bregu i Shqipërisë, në vitet 2009, 2010 dhe 2011 kjo sasi ka arritur në më pak se 10 kg.
“Natyrisht është një sfidë e hapur, një sfidë e hapur në luftën e institucioneve tona kundër trafikut. Ne jemi të bindur se kjo luftë nuk bëhet e vetme ndaj edhe ky kontribut, ky bashkëpunim i ardhur sot nga vendet anëtare të BE, përmes angazhimit intensiv të Komisionit Europian, përmes bashkërendimit dhe bashkëveprimit me vendet e BE dhe NATO-s, bën të mundura arritje dhe rezultate të tilla”, tha ai.
Ministri i Brendshëm garantoi se forcat e policisë shqiptare, veçanërisht ato të kufirit dhe migracionit do të rrisin akoma më tej performancën e tyre.
“Ne kemi sfida shumë të mëdha krahas luftës kundër trafikut. Ne punojmë për jetësimin e motos “kufij të hapur, por të sigurt”. Qytetarët shqiptarë sot po përjetojnë realizimin e një ëndrre, atë të lëvizjes së lirë. Natyrisht bërja realitet e kësaj ëndrre nuk ka qenë e lehtë, ka pasur nevojë për angazhime të mëdha. Ne angazhohemi se ky vendim i madh i vendeve të BE, porositë e vazhdueshme dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, do të jenë pjesë e planeve dhe punës sonë të përditshme”, deklaroi më tej ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›