E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Opozita, përgjegjëse për refuzimin e statusit”

08-10-2011 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu

Kur mbeten dhe pak ditë nga shprehja e Opinionit të Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë gjatë vitit 2011, ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu pohon se një përgjigje e mundshme negative e Komisionit Europian nuk vonon anëtarësimin e vendit në BE si dhe as nuk ndikon në fondet e Komisionit Evropian për vendet potencialisht kandidate. “Ky vendim në qoftë negativ nuk është se na largon në datën e integrimit. Procesi i integrimit nuk varet vetëm nga respektimi i detyrimeve apo terminaliteve teknike, pasi procesi i zgjerimit është një proces i cili ka vënë në pikëpyetje edhe shumë ide në vetë BE-në dhe vendet anëtare. Kjo nuk na largon. Nuk humbasim fonde sepse plani financiar i BE-së nuk lëviz në bazë të statusit kandidat apo jo. Mali i Zi vjet nuk fitoi asnjë euro më shumë”, u shpreh ministrja Bregu.
Ajo pranon se një përgjigje e tillë dëmton imazhin e vendit dhe për këtë, Bregu fajëson opozitën shqiptare. “Do të ishte shumë më mirë që ne të mos kishim prishur imazhin e vendit, që Shqipëria me vështirësi e ngriti që nga viti 2005, të një vendi që progreson, të një politike që zbaton detyrimet dhe të një demokracie funksionale. Dëmi më i madh që është bërë, është dëmi në imazhin e vendit. Askush nuk mund të thotë që administrata shqiptare nuk punoi për integrimin. Ju do gjeni paralelisht me progres raportin ndoshta diçka më vonë edhe vlerësime të tjera për reformat e ndërmarra, të cilat pa dyshim që do të jenë pozitive. Dëmi më i madh i është bërë vendit, i është bërë imazhit Shqipëri, pasi që nga viti 2005 u vendos një stad tjetër në raportet me Bashkimin Evropian”, tha Bregu.
Ministrja e Integrimit Evropian vlerëson se opozita nuk ka bashkëpunuar duke zgjedhur bllokimin nëpërmjet bojkotit dhe mos votimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›