E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, 8 kritere për kandidatët

Selia blu përcakton kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të përfaqësuar Partinë Demokratike në procesin elektoral të 28 qershorit. Zgjedhjet brenda PD-së do të ndihmojnë për të matur pulsin dhe për të propozuar kandidatët më me influencë në 12 qarqet e vendit. Kryetarët e degëve kanë marrë fuqi të plotë nga Partia Demokratike për të sjellë në selinë blu një listë me emra kandidatësh dhe më pas do të jetë kryesia e vogël e PD-së ajo që do të zgjedhë dhe renditë sipas preferencave këta persona. Në degët e PD-së në rrethe është shpërndarë një udhëzues për të kërkuar shtimin e anëtarësisë, por edhe që përcakton kriteret për kandidatët, të cilët do të përfaqësojnë Partinë Demokratike në rrethe. Sakaq, zgjedhjet e 28 qershorit kanë nxitur më shumë funksionimin e strukturave të Partisë Demokratike në rrethe, të cilat tashmë kanë filluar ta bëjnë mirë bilancin dhe të negociojnë për emrat që duhet të vendosin në listat e deputetëve. Kryetari i partisë dhe dy nënkryetarët do të jenë personat që do të hartojnë listën përfundimtare, e cila do të bëhet publike vetëm në mesin e muajit maj.

Udhëzuesi

Dokumenti orientues për përzgjedhjen e kandidatëve demokratë në zgjedhjet e 28 qershorit parashikon që individi i propozuar të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, qëndrueshmëri morale të karakterit dhe reputacion pozitiv. Një tjetër pikë e kërkuar është që të ketë përvojë politike si anëtar i Partisë Demokratike, por kjo nuk specifikohet nga selia blu si kriter përjashtues. Kandidati duhet të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së dhe të ketë aftësi drejtuese dhe eksperiencë në veprimtaritë e tjera profesionale jopolitike. Ky është një tjetër kusht që kandidatët duhet të plotësojnë për të pasur emrin në listën e deputetëve. Ajo që vlen të theksohet është se Partia Demokratike ka vendosur të respektojë 30% të grave në politikë. Një në tre emrat e parë të kandidatëve do të jetë femër. Por, pavarësisht kësaj, deri më tani, asnjë kryetar dege i Partisë Demokratike nuk është femër. Kjo ka sjellë edhe skepticizmin e anëtarësisë së PD-së në rrethe, nëse ky kriter do të respektohet, pavarësisht se cilësohet si më kryesori në udhëzuesin e PD-së. Rezultati i zgjedhjeve të 2005-ës, krahasuar me ato lokale në 2007-ën, do të jetë testi i parë që do të kalojnë deputetët aktualë për pozicionimin e tyre në listat e deputetëve.

Kryetarët e degëve

Zgjedhja e kryetarëve të degëve pritet të pasohet me emrat e kandidatëve demokratë, që do të garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Partia Demokratike këtë herë ka vendosur të mbrohet me atë që ka, duke mos kërkuar të bëjë lëvizje surprizë. E vetmja procedurë që do të surprizojë demokratët është renditja e deputetëve aktualë në listat e kandidatëve. Kryetarët e degëve, si ai i Durrësit, Igli Cara; Dibrës, Naim Gazidede; Gjirokastrës, Altin Çomo; Beratit, Ndriçim Hysi; Korçës, Gjergji Papa dhe qarqeve të tjera, do të kenë mundësinë për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, në rast se kryesia e PD-së do të miratojë përfundimisht edhe këtë pikë të paketës së kritereve. Zyrtarisht, lista e kandidatëve për deputetë duhet të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Pas verifikimit që duhet të bëjë, institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve ka detyrim ligjor të shpallë publikisht këta emra për të gjithë subjektet konkurruese në çdo qark.

Tabela

Kriteret për kandidatët demokratë

- Një ndër tre personat e parë të kandidatëve duhet të jetë femër

- Të jetë figurë publike

- Të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së

- Individi i propozuar të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv

- Të ketë pasur rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më parë deputet dhe të analizohet puna e tij si deputet i PD-së

- Të ketë përvojë politike si anëtar i PD-së

- Të shquhet si funksionar në administratë

- Të ketë aftësi drejtuese dhe eksperiencë në veprimtaritë e tjera profesionale jopolitike

Pakti

Kryeministri garanton se kjo parti do të jetë edhe në kabinetin e ardhshëm qeverisës

Zgjedhjet, konfirmohet aleanca PD-PAA

Partia Demokratike vazhdon të rikonfirmojë aleancat për koalicionin e djathtë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, firmosi dje një marrëveshje parazgjedhore me kreun e PAA-së, Lufter Xhuvelin. Pakti i bashkëpunimit është qeverisja e demokratëve në koalicion me agrarët. Në rast se koalicioni i djathtë do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit, pavarësisht rezultatit, agrarët do të kenë sërish një ministër në kabinet. Deri tani, Partia Demokratike ka nënshkruar marrëveshje me kreun e PAD-së, Neritan Cekën, dhe kryetarin e republikanëve, Fatmir Mediun. Po kështu, është zyrtarizuar gjithashtu edhe shkrirja e Partisë Demokratë Reformatore, anëtarët e të cilës po i afrohen selisë blu.

Kryeministri Berisha ka lënë të kuptohet qartë se edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli,

do të jetë sërish ministër i kabinetit të tij. "Ky koalicion është për fitoren elektorale dhe qeverisjen e vendit dhe se cilat do të jenë postet, do t‘i caktojë Parlamenti i ardhshëm shqiptar, por PAA-ja do të jetë parti qeverisëse", tha Berisha. I pyetur se kur do të zyrtarizohet shkrirja e PDR-së me PD-në, Kryeministri u përgjigj se shkrirja ka filluar. "Faktikisht, me PDR-në jemi një parti tani dhe është një proces i shkëlqyer, i harmonishëm. Për sa i përket Kuvendit, do të vendosin strukturat se si. Unë them se Kuvendi do t‘i ndjekë të gjitha procedurat, siç i detyron statuti, sepse statuti i ka të përcaktuara. Kuvendi do të jetë energjia, vizioni i fitores, ndaj si mund të jetë ai pas zgjedhjeve?.", tha Berisha. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha theksoi se Partia Agrare është një kontribut brenda koalicionit të së djathtës. "Me këtë marrëveshje elektorale dhe postelektorale me Partinë Agrare Ambientaliste, së pari shpreh vlerësimin e madh të bashkëpunimit të ngushtë luajal dhe të frytshëm katërvjeçar. PDSH-ja dhe PAA-ja në koalicionin e katër viteve që vijnë nuk bashkuan thjesht e vetëm votat", u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë e specifikoi këtë koalicion jo të diktuar nga votat, por nga parimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. "Ky koalicion dhe ky bashkëpunim ka bërë që Shqipëria të vendoset në klasifikimin e të gjitha vendeve të planetit, në pozicionin e 25-të për sa i përket mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit", u shpreh ai. Sipas Kryeministrit Berisha, ky koalicion ka marrë masa drastike në kufizimin e ndotjes së ajrit në mbarë vendin. "Me vullnetin e tij, ky koalicion, duke i rezistuar edhe presionit të lobeve të fuqishme mediatiko-afariste, ia doli të reduktojnë nga 400 mijë tonë naftë D2, në 80 mijë tonë e lejimin e saj në territorin e vendit, për ta bllokuar plotësisht në fund të këtij viti, pra, në 6-mujorin e parë të mandatit të dytë, përdorimin e D2 për të gjitha makinat dhe makineritë në vend. Duke e shtuar Shqipërinë në një nga vendet e standardeve më të larta të pastërtisë së karburanteve që përdoren në vend", vlerësoi Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›