E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia për Ramiz Alinë, Nano, Meta, Ruçi e Dokle në homazhe

Qindra qytetarë e personazhe publikë kanë përcjellë dje me homazhe, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ish-presidentin Ramiz Alia, që ndërroi jetë të premten në moshën 86-vjeçare. Përveç familjarëve e miqve të Alisë, me qindra të moshuar, veteranë dhe të njohur të tij janë përulur përpara arkivolit me trupin e udhëheqësit të fundit komunist. Në katin e dytë të SHQU-pit, ku ndodhej edhe trupi i pajetë i Alisë, politikani i parë që ka bërë homazhe ka qenë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Njësoj si me mesazhin e tij të ngushëllimit, Meta ka mbërritur ndër të parët në vendin e homazheve, duke u pasuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ish- kryetari i Parlamentit, Servet Pëllumbi, deputeti Ilir Beqja dhe ish-kryeministri Fatos Nano. Të gjithë politikanëve të së majtës, që lanë mënjanë shmangien nga vdekja e ish-presidentit Ramiz Alia, u është dashur të presin relativisht gjatë në radhë, për shkak se dhjetëra persona të tjerë kishin nisur homazhet para mbërritjes së tyre. Përveç tre fëmijëve të ish-presidentit Alia, binte në sy dhe prania e djalit të Enver Hoxhës, Ilir Hoxhës përgjatë gjithë momenteve të homazheve. Të gjithë fëmijët, nipërit dhe mbesat e ish-presidentit kanë pritur e përcjellë për më shumë se një orë e gjysmë personalitete, njerëz të thjeshtë dhe ish-funksionarë të lartë shtetërorë të nomenklaturës komuniste. Oborri përpara Shtëpisë së Ushtrisë ishte thuajse plot i mbushur me njerëz, rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, ndërsa lokali poshtë godinës gëlonte nga komentet dhe bisedat që bënin kryesisht veteranët, të cilët pinin kafe. Haliti, një ish-partizan, sot veteran nga Dibra, thotë se ka ardhur posaçërisht për t’i bërë nderimet e fundit Ramiz Alisë. “Këtu kam ardhur që të shtunën mbrëma. Erdha posaçërisht për homazhet dhe varrimin. Në gjithë jetën time kam biseduar dy herë me shokun Ramiz, këtu po shoh se kanë ardhur shumë veteranë dhe takova edhe shokë të vjetër, të cilët kisha vite pa i parë. Shumica e brezit tonë ka ndërruar jetë, por edhe më shumë njerëz do kishin qenë pjesëmarrës”, - shprehet Haliti. Sipas tij, nga institucionet shtetërore dhe partitë politike ka pasur një indiferencë të madhe në lidhje me vdekjen e ish -presidentit Alia. “I kanë nga komplekset. Për mendimin tim, duhej të kishte një përfaqësi edhe nga qeveria, nga Partia Demokratike, pasi ka vdekur një ish-president, një luftëtar shtetar i këtij vendi. Po mirë nga qeveria nuk ka, po as këta të Partisë Socialiste nuk kanë reaguar fare për këtë ngjarje. Sot erdhën bënë homazhe, por duket që është diçka si e sforcuar, sikur kanë problemin mos i shohin duke bërë homazhe”, - komenton Haliti 80- vjeçar, që ka mbërritur posaçërisht nga Peshkopia për ceremoninë e Ramiz Alisë. Një numër i madh ish-zyrtarësh të viteve ‘80 ishin dje pjesë e homazheve; ish-drejtorë, artistë e shkrimtarë kanë kaluar me radhë para trupit të Alisë. Nuk kanë munguar në homazhe dhe të rinj, të cilët kanë pasur njohje me ish –presidentin, sidomos në vitet e pasivitetit të tij politik. Një vëmendje të veçantë tek njerëzit e mbledhur dje paradite në oborrin e SHQU-pit krijoi dhe vizita e papritur e ish-kryeministrit Nano. Ardhja e tij fitoi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve, e sidomos të veteranëve, të cilët nxituan ta takonin porsa Nano përfundoi homazhet. Rreth orës 11:20, trupi i pajetë i ish-Presidentit u nis drejt varrezave të Sharrës, ku fjalën e rastit e mbajti ish-deputeti Pëllumb Xhufi, një mik i Ramiz Alisë, i përzgjedhur nga familja e tij për të mbajtur fjalën e lamtumirës.

Biznesmeni nga Dubai: Miqësia 25-vjeçare me Ramizin

Në ceremoninë mortore, një mik i ardhur nga Emiratet Arabe ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. Nasser Bin Abdulatif Alserkal thotë se e njeh prej vitesh Ramiz Alinë dhe ka ndarë një miqësi të rrallë me të

Prania e disa miqve të ardhur nga Emiratet e Bashkuara për ceremoninë mortore të Ramiz Alisë tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve. Nasser Bin Abdulatif Alserkal, një ndër biznesmenët më të fuqishëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte në Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë, për t’i bërë nderimet e fundit Ramiz Alisë. Ai është një ndër drejtuesit e korporatës arabe “Alserkal Group” me qendër në Dubai, ndaj edhe kureshtja lidhej më shumë me rrethanat e njohjes dhe miqësisë së tij me Ramiz Alinë. Në një intervistë për “MAPO”-n, Alserkal tregon si e kishte njohur ish-presidentin dhe miqësinë e ruajtur me të për 25 vjet.

Zoti Alserkal, ju keni ardhur posaçërisht për homazhe ndaj ish-presidentit Alia?

Po, unë kam ardhur nga Dubai. Ramiz Alia është një miku im i vjetër. Lidhjet miqësore me të janë shumë të forta, është një miqësi mbi 25- vjeçare dhe ne të dy takoheshim shumë shpesh. Çdo vit, ai takohej me mua dhe shpesh ishte i ftuari im në Dubai.

Cili është aktiviteti juaj, zoti Alserkal?

Unë jam biznesmen, punoj në Dubai.

Po si jeni njohur me zotin Alia? Cilat janë rrethanat e njohjes suaj me të?

Eh, kjo është jeta...Njihen njerëz dhe nga vende të largëta, kështu është jeta, mund të jesh shumë mik e të ndash një miqësi të rrallë me dikë që vjen dhe nga shumë larg.

Si keni mundur ta njihni?

Jemi njohur shumë dekada më parë, por jo vetëm me zotin Alia. Unë kam njohur dhe Enver Hoxhën, madje kam qenë në shtëpitë e të dyve qysh vite e vite më parë. Pra bëhet fjalë për një miqësi të hershme dhe të fortë, ndaj jam këtu sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›