E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano kundër paktit të Ramës: Eshtë truk

Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, e cilëson truk paktin për integrimin, të propozuar nga Edi Rama. Në një prononcim për Vizion Plus, pas homazheve të ish-presidentit Alia, Nano i kërkoi politikës ti lexojë mirë mesazhet që vijnë nga ndërkombëtarët. I pyetur se çmendon për paktin e zotit Rama, Nano tha: Po flasim për gjëra serioze, jo për truke! Duke dhënë opinionin e tij rreth debatit politik mes forcave politike, Nano tha se ai nuk duhet të zhvillohet bazuar në interesa vetjake të liderëve politikë. Besoj se ata i kanë marrë të gjitha mesazhet e duhura, dhe unë do të nxisja vëmendjen e munguar për të arsyetuar me qetësi dhe me përgjegjësi europiane për vendin nevojën e kthimit të debatit të vërtetë politik, duke u larguar nga interesat e dëmshme që karakterizojnë një pjesë të liderëve, u shpreh Nano.
Ish-kryeministri i fundit socialist, Fatos Nano, ka thyer në këtë mënyrë heshtjen e tij të gjatë duke komentuar zhvillimet politike në vend. Ka kohë që ai qëndron i tërhequr nga politika aktive, duke mos dashur të përfshihet në debatet politike të ditës, edhe pse ai vijon të mos heqë dorë nga kontaktet me faktorë të politikës në vend, por dhe me shumë socialistë. Dalja e fundit publike e Fatos Nanos, të shoqëruara dhe me deklarata dhe batuta, ishte gjatë dorëzimit të diplomave të masterit të një institucioni privat, kur ai u gjend në një rresht me kandidatin në atë kohë për kryetar Bashkie të Tiranës, Lulzim Basha. Në fund të qershorit, ende pa mbaruar procesi ankimor në Kolegjin Zgjedhor, Nano u shpreh se respekton institucionet zgjedhore. Ish-kryeministri i fundit socialist, i cili dha dorëheqjen nga kreu i PS pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2005-s, nuk ka hequr dorë nga ambicia e tij për president. I pyetur në fund të qershorit nëse do të jetë një kandidat potencial për president, Nano u përgjigj se është shumë shpejt për të bërë pyetje kaq të mëdha. Sipas tij, edhe anijet e vjetra nuk ikin kollaj nga deti. Por, përveç ambicies së tij për president, Nano ka qenë vazhdimisht kritik ndaj sjelljes së opozitës të drejtuar nga Edi Rama. Nano ka kritikuar ashpër bojkotin e gjatë të deputetëve të Partisë socialiste në Kuvend, ndërsa ka kërkuar prej tyre të përmbushin detyrimin që kanë ndaj zgjedhësve për të bërë dhe votuar ligjet për të cilat vendi ka nevojë.

Nano nderoi Ramiz Alinë

Nano, gjatë homazheve per ish Presidentin Ramiz Aline

Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, mori pjesë të dielën në homazhet për ish-presidentin Ramiz Alia. Në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj, të shprehet respekt për kontributet e personaliteteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe të rindërtimit të vendit pas saj. Në rastin e homazheve, për presidentin Alia dua të shpreh vlerësimin tim për kontributet e tij në etapat e rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit dhe të demokracisë që gëzojmë sot, u shpreh Nano në përfundim të homazheve. Ish-kreu i PS-së vendosi një kurorë pranë arkivolit të Ramiz Alisë me mbishkrimin Ramiz Alisë, për kontribute historike të rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›