E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “Pranvera e Tiranës”, meritë e pamohueshme e Alisë

Fjala e lamtumirës në varrezat e Sharrës për ish-presidentin Ramiz Alia është mbajtur nga politikani dhe historiani, Pëllumb Xhufi. Gjatë fjalës së tij, Xhufi i ka njohur Ramiz Alisë meritën e kalimit të butë të pushtetit në vitet ’90, si dhe natyrën e tij paqedashëse. “Sot na ka mbledhur këtu, rasti i trishtuar i përcjelljes në banesën e fundit të njërit prej protagonistëve të historisë sonë të re, luftëtarit antifashist, drejtuesit komunist, Presidentit të parë të pluralizmit shqiptar”. Kështu ka nisur fjalën e rastit gjatë ceremonisë mortore ish-deputeti dhe historiani Pëllumb Xhufi, dje në varrezat e Sharrës. Xhufi, i cili ishte caktuar nga familja e Alisë si njeriu që do të mbante fjalën e rastit, është shprehur se, “nëse Tirana pati edhe ajo për disa vite ‘pranverën’ e saj, njëlloj si ‘pranvera e Pragës’, kjo është padyshim edhe meritë e pamohueshme e Ramiz Alisë. “Duke i qëndruar besnik bindjeve të veta politike, por edhe natyrës e ndjeshmërive të tij njerëzore, u përpoq në një mjedis gjithnjë e më shumë armiqësor, të sigurojë kalimin sa më të butë drejt një rrugëtimi të ri, që ai e dinte mirë se ishte i pashmangshëm. Nuk u bë, sepse nuk deshi të bëhej zoti fuqiplotë i Shqipërisë. Mund të kishte vënë në lëvizje mekanizmin represiv të shtetit, siç dhe ia kërkuan, por nuk e bëri. Kontradiktat e ashpra, mëritë, armiqësitë, urrejtjet që helmonin shoqërinë shqiptare të viteve 1990, u mundua t’i zbusë duke i dëgjuar e duke u munduar t’i kuptojë të gjithë e, në fund, duke i hapur rrugë pikërisht rinisë, me të cilën e kishte lidhur një jetë e tërë”, - është shprehur Xhufi. Në fund të fjalës së rastit, historiani Pëllumb Xhufi është shprehur se një ndër vlerat më kryesore njerëzore të Alisë ka qenë thjeshtësia dhe modestia e tij në komunikimin me njerëzit dhe natyra e tij paqedashëse. “Ramiz Alia nuk ishte njeriu i gjesteve të forta e i toneve të ashpra, siç ishin shumica e drejtuesve komunistë. Ishte i qetë, i sjellshëm, modest, intelektual. I tillë ishte vetë, të tillë e kishte edhe shoqen e tij të jetës, Semirami, bijë e gjuhëtarit të madh Aleksandër Xhuvani, së cilës Ramizi i qëndroi besnik edhe pas vdekjes së parakohshme në 1985-ën. Të tillë, të thjeshtë, të sjellshëm, modestë janë edhe fëmijët e tij, aq shumë të ndryshëm nga modeli negativ i ‘fëmijëve të Bllokut’ që jemi mësuar të dëgjojmë. Këtyre, në radhë të parë, u shkojnë sot ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e babait të tyre të dashur. I qoftë e lehtë toka dhe i paharruar emri!”- ka përfunduar fjalën e lamtumirës Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›