E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon Papandreun: Duhet transparencë për ekonominë

Papandreu: “Çështja e transparencës është kyçe. Në Greqi, ne nuk patëm transparencë për buxhetin dhe as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund ta kishin ndaluar”

BRUKSEL Kryetari i PS-së, Edi Rama mori pjesë në punimet e Këshillit dhe Konventës së Partisë Socialiste Europiane, ku një takim të veçantë ai pati edhe me Presidentin e Internacionales Socialiste, njëherësh kreu i PASOK, George Papandreu. Pas takimit me ish-kryeministrin e Greqisë, Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencën e plotë të të dhënave të ekonomisë së vendit, me qëllim që Shqipëria të mos gjendet para një stuhie. Ndërsa ish-kryeministri i vendit fqinj theksoi rëndësinë e transparencës së ekonomisë, gjë që nuk ndodhi në vendin e tij. "Çështja e transparencës është kyçe. Në Greqi, ne nuk patëm transparencë për buxhetin dhe as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund ta kishin ndaluar nëse do të kishim pasur transparencë. U krijua gjithashtu shumë pabarazi dhe mungesa e transparencës mund të sjellë dhe korrupsionin. Dhe korrupsioni, në fund të fundit dëmton shtresën e mesme, ata të cilët kanë më shumë fuqi dhe që mund të sjellin më shumë para, barazi dhe drejtësi për shoqërinë. Ndaj transparenca është një çështje për qeverisjen e mirë, demokracinë dhe është një çështje e kohezionit social. Për këtë arsye, qeveria jonë në Greqi sot mban si “flamur” transparencën. Gjithçka bëhet on line, çdo çështje, edhe buxheti është on line, e kjo përbën një bazë të mirë për të krijuar një Greqi të sigurt”, - tha Papandreu. Edhe kreu i opozitës, Edi Rama vlerësoi si shumë të rëndësishme për të parë qartë realitetin ekonomik përmes transparencës të të gjitha të dhënave ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›