E Shtunë, 31 Tetor 2026

Certifikata e djalit tradhton Ilir Kumbaron

 

Debate në gjykatë mes prokurores londineze dhe avokatit mbrojtës të të akuzuarit për rrëmbimin e Remzi Hoxhës

Policia ka zbuluar gjatë kontrollit në banesë certifikatën e Ervin Kumbaros, marrë në Tiranë

TIRANË- Ish- zyrtari i Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, i cili është arrestuar në Londër, është “tradhtuar” nga certifikata e djalit të tij, Ervinit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij hetuesit britanikë kanë gjetur certifikatën e lindjes që vërteton se personi i arrestuar është Kumbaro dhe jo një shtetas çek. Kjo provë është vendosur në dosjen që i është dorëzuar gjyqtares Dafne Uickhamka, e cila po gjykon çështjen e zbulimit të identitetit të vërtetë të shtetasit çek me kombësi shqiptare nga Kosova dhe me pasaportë britanike nën emrin Shaqa Shatri. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmuan faktin se policia Scotland yard-it gjatë ushtrimit të kontrollit në banesën e çiftit Shatri në lagjen e Fullham në Londër, ka zbuluar në morinë e disa dokumenteve edhe certifikatën e lindjes së shtetasit Ervin Kumbaro djalit të Ilir Kumbaros. Kjo certifikatë është lëshuar nga një nga Gjendjet Civile të Tiranës, ku familja Kumbaro ka jetuar më parë.

***

Sipas këtyre burimeve, mësohet se më datën 26 nëntor, ditë kur shtetasi Kumbaro që pretendon se nuk është ai, është paraqitur para gjyqtares Dafne Uickhamka për të dëgjuar pretendimet e prokurores Claire Dobbin, e cila përfaqëson shtetin shqiptar në këtë proces, ka mësuar se në banesën e tij i është sekuestruar certifikata e djalit. Mbrojtësi ligjor i Kumbaros ka kërkuar kohë nga gjyqtarja për tu shprehur në lidhje me këto prova të reja. Gjithashtu mësohet se autoritetet e Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesë të prokurorisë londineze kanë kryer verifikimet e nevojshme në gjendjen civile nga e cila është lëshuar kjo certifikatë dhe ka rezultuar se ajo është tërhequr nga mesi i vitit 2000, kur mendohet se i pandehuri Kumbaro bashkë me familjen kanë ardhur në Shqipëri për ceremoninë mortore të babait të Ilirit. Sipas këtyre burimeve mësohet se pas relatimit të pretendimeve përfundimtare të mbrojtjes ligjore të çiftit Shatri për provat e fundit të dorëzuar nga prokuroria pritet që gjyqtarja të shprehet me një vendim në lidhje me identitetin e personit të arrestuar nga policia londineze.

***

Ndërkohë, mësohet se gjyqtarja Dafne Uickhamka e cila po shqyrton çështjen, ka kërkuar nga prokurorja Claire Dobbin për të sqaruar se “pse shtetasi Ilir Kumbaro meqë paska qenë agjent i Shërbimit Sekret të Shqipërisë nuk i janë marrë gjurmët e gishtave në kohën e punësimit të tij”. Kjo pyetje siç mësohet e ka vënë në pozitë prokuroren Dobbin e cila ka shpjeguar se “autoritetet shqiptare nuk e kanë pasur si praktikë një gjë të tillë dhe as në legjislacionin shqiptar nuk parashikohet një veprime i tillë”. Pas kësaj përgjigjeje, gjyqtarja Uickhamka ka vendosur ndërprerjen e seancës gjyqësore dhe shtyrjen e saj për një datë tjetër, ku pritet që mbrojtja të jap pretendimet e saj në lidhje me këto argumente dhe më pas gjykata të shprehet me vendim.

Ai është regjistruar me dokumente false duke u paraqitur si një shtetas kosovar i përndjekur nga regjimi serb

Si fitoi Kumbaro shtetësinë britanike

Autoritetet londineze kanë kryer edhe verifikimet e bashkëshortes së shtetasit Shaqa Shatri e cila korrespondon e njëjtë nga fotografitë e dërguara nga prokuroria me bashkëshorten e shtetasit në kërkim Ilir Kumbaro. Përveç këtyre provave të lartpërmendura, mësohet se prokurorja Dobbin ka siguruar edhe një sërë dokumentesh që tregojnë se Ilir Kumbaro në momentin e mbërritjes dhe paraqitjes së tij në Portin e Doverit ka dorëzuar një kartë identiteti të shtetit ish-Jugosllavisë, konkretisht të Kosovës duke kërkuar azil për shkak të luftës që vazhdonte atje. Në nëntor të vitit 1998, Ilir Kumbaros i është garantuar leja e qëndrimit (Indefinite Live to Remain) dhe dy vite më vonë, në mesin e vitit 2000 nën emrin Shaqa Shatri, Ilir Kumbaro ka fituar qytetarinë britanike. Pikërisht fitimi i qytetarisë dhe më pas pajisja me një pasaportë britanike dyshohet se janë përdorur më pas për udhëtimet që ai ka bërë në drejtim të kryeqytetit shqiptar, që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimet për hyrje-daljen në vend të shtetasit Shaqa Shatri. Sipas prokurorisë, edhe pas sigurimit të gjithë këtyre provave, ish-SHIK-asi Ilir Kumbaro vazhdon të fshihet pas emrit Shaqa Shatri, që mban datën e lindjes 15 prill 1945 në Kosovë, por që më pas ka jetuar në Çeki ku ka fituar shtetësinë çeke, duke emigruar më pas në Angli si i përndjekur në vendin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›