Dita e Flamurit, në Vlorë nuk shkon asnjë qeveritar
Vlorë-Simbolizuar me qytetin e Flamurit, Vlora në 96 vjetorin e Pavarësisë ka mbledhur në shesh qindra qytetarë vlonjatë e mysafirë nga vendi e Kosova. Edhe këtë vit në sheshin e Flamurit u zhvillua ceremonia e përvitshme me drejtues vendorë, deputetë të Vlorës, përfaqësues të komuniteteve fetare, shoqatave, të ardhur nga Kosova e Maqedonia. Ata kanë dalë në shesh për të uruar e përshëndetur të gjithë qytetarët për këtë festë. Në axhendën e ditës së sotme ka munguar pjesëmarrja e qeveritarëve.
Autoritetet dhe të ftuar kanë vendosur kurora me lule te varri i Ismail Qemalit, në nderim të figurës së tij të madhe dhe përkujtim të ditës së sotme. Nderim edhe para obeliskut për flamurin në këtë përvjetor të pavarësisë. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në fjalën e tij uroi të gjithë për këtë festë që identifikon themelet e shtetit shqiptar.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Hasan Halili, përshëndeti edhe në emër qeveritarëve, kreut të qarkut dhe deputetëve të djathtë. Festa ka vijuar në sheshin e Flamurit, ku shumë të ardhur kanë preferuar të fiksojnë në celuloid dhe kamera pjesëza të festimit në shesh, si dhe qendrën historike të qytetit të Vlorës.