E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Pavarësisë, Rama në Prishtinë

Prishtinë- Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama bashkë me një delegacion të partisë së tij ishte sot në Kosovë për të festuar Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin. Me këtë rast Edi Rama, i shoqëruar nga Pandeli Majko dhe Shpëtim Idrizi, theksoi përkrahjen e Shqipërisë për shtetin më të ri, duke kundërshtuar fuqishëm çdo ide për ndarje të Kosovës. 

Në takim me kryeparlamentari Krasniqi, pasi kanë këmbyer urimet për 28 Nëntorin, festën e shumëfishtë kombëtare, që i lidh shqiptarët kudo që janë dhe kanë shprehur kënaqësinë që për këtë festë të madhe janë së bashku, Krasniqi dhe Rama kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, sidomos për sa i përket kontekstit ndërkombëtar që i parapriu vendimit për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Ata kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shumë lëmenj të jetës, që është interes i përbashkët i qytetarëve të dy vendeve tona.

Në fjalën e tij Rama është shprehur se“Rikujtoj se Kosova nuk u pavarësua për t’u ndarë, por për t’u bashkuar në familjen evropiane, ku aspirojmë të gjendemi së bashku, pa kufij të gjithë ne, shqiptarët që sot jetojmë në territore të ndryshme”. Sipas tij, kjo do të thotë se askush nuk duhet të guxojë se ëndrra të tilla mund të bëhet realitet, për sa kohë ka e do të ketë shqiptarë në këtë dhe në atë territor. 

Ndërsa Krasniqi tha se nuk do të lejohet cenimi i integritetit, pavarësisht prej situatës mjaft komplekse. “Ne i dimë vështirësitë që i kemi, por Kosova ka kaluar vështirësi edhe më të mëdha. Ne jemi të bindur që tërësia territoriale dhe funksionimi i pushtetit i institucioneve të Kosovës do të ketë ngritje të reja dhe cilësi të reja. natyrisht ju e dini që ne kemi përkrahur shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës dhe besoj se do të bëhet kështu”, u shpreh Kryeparlamentari i Kosovës.

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi për mbështetjen e gjithë institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike të Shqipërisë për ecjen e mbarë të Kosovës në rrugën e zhvillimit edhe të afirmimit pozitiv ndërkombëtar. I gjithë populli i Shqipërisë gjakon me shqetësimet e popullit të Kosovës, e ka garantuar kreu i socialistëve të Shqipërisë, kreun e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm.

Në fund të takimit kryeparlamentari Krasniqi i ka dhuruar z.Rama një kopje të Deklaratës së Pavarësisë, në sfond të së cilës spikat figura grafike e më të merituarit për pavarësinë e Kosovës, Adem Jashari. /RTK/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›