Komiteti i Helsinkit: Policia e Shkodres u nxitua kur paditi Ermir Dobjanin
Tiranë- Ka reaguar sot Komiteti Shqiptar i Helsinkit pas padisë së ngritur nga Drejtoria e Policisë Shkodër ndaj Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. “KSHH e konsideron denoncimin në Prokurori të Avokatit të Popullit si një veprim të nxituar dhe të pamatur të policisë”. Kështu shprehet sot KSHH, përmes një njoftimi për mediat.
Sipas Komitetit të Helsinkit, ndërhyrjet e Avokatit të Popullit për të ndaluar një gjendje paligjshmërie, kur kjo shkelje është flagrante, është në kompetencë të tij. “Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Avokatit të Popullit dhe organizatave të tjera të të drejtave të njeriut në Shqipëri në monitorimin dhe evidentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve shtetërore ne i kërkojnë punonjësve të policisë së shtetit që t’i japin fund veprimeve ose sjelljeve që cënojnë respektimin e ligjit dhe të të drejtave të shtetasve”, thuhet më tej në komunikatë.
KSSHH i kërkon policisë të mbajë përgjegjësi për veprimet arbitrare të shkaktuara ndaj të riut të shoqëruar në komisariatin e Shkodrës.
Rreth një javë më parë, Drejtoria e Policisë Shkodër ka depozituar një padi në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Shkodër ndaj Avokatit të Popullit me objekt “ndërhyrje e padrejtë në hetim dhe prishje të hetimit”. Sipas deklaratës së Drejtorisë së Policisë Shkodër, Avokati i Popullit ka prishur hetimet për zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 1997. Padia është ngritur ndaj vetë Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani dhe disa komisionerëve të këtij institucioni. Padia u bë pas deklaratës së Avokatit të Popullit për rezultatet e inspektimit të kryer dy ditë më parë, përkatësisht në datën 21 Nëntor 2008, në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Shkodër.