E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga oficerit të policisë, kërkoi 10 mijë euro ryshfet

 

Durrës, policia ka arrestuar kolegun e saj Thoma Marina me akuzën e korrupsionit pasiv në një çështje pronësie

TIRANË- Marrja e ryshfetit për një çështje penale ka shpënë pas hekurave të qelisë një oficer të policisë gjyqësore. Thoma Marina, me detyrë oficerë i policisë gjyqësore në prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës, është arrestuar në flagrancë nga kolegët e tij teksa po merrte paratë. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se oficeri u prangos pasi akuzohet se ka konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojë funksione publike. “Nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale të hetimit ka rezultuar se Thoma Marina, ka marrë një shumë prej 10 mijë euro për një çështje penale që kishte në hetim. Kjo shumë është marrë për të favorizuar palën në përfundim të hetimit të dosjes penale”,- thuhej në deklaratën e policisë së shtetit lëshuar ditën e djeshme

Ryshfeti

Dy javë më parë, një banor i qytetit të Durrësit është paraqitur në prokurori për të kryer një kallëzim. Ai është takuar me oficerin e policisë gjyqësore Thoma Marina, i cili mori në dorëzim çështjen. Denoncuesi i ka shpjeguar Marinës së në tokën e tij janë ndërtuar dy shtëpi. Burime nga policia thanë se denoncuesi kishte deklaruar se pronarët e shtëpive nuk e kishin blerë tokën e tij dhe kishin kryer ndërtime pa leje. Pasi ka studiuar çështjen oficeri i policisë gjyqësore, Marina, ka kërkuar të bëjë një marrëveshje me denoncuesin. Ai dyshohet t’i ketë kërkuar denoncuesit një shumë parash kundrejt favorizimit që do t’i bënte në gjykatë. “Nëse me jep 10 mijë euro çështja kur të shkojë në gjykatë do të kalojë në favorin tënd”,- mendohet që t’i ketë thënë Marina, qytetarit. Ky i fundit, i bindur se çështjen do ta fitonte edhe pa dhënë ryshfet, ka denoncuar oficerin e policisë gjyqësore.

Denoncimi

Qytetari ka denoncuar në polici ryshfetin e oficerit të policisë gjyqësore pranë prokurorisë së Durrësit dhe menjëherë kanë nisur hetimet. Për të verifikuar informacionin janë vënë në lëvizje specialistët e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burime nga policia thanë se denoncuesi kishte rënë dakord me 51-vjeçarin Thoma Marina të jepte shumën e parave prej 10 mijë euro kundrejt favorit që do t’i kryente në çështjen e tij. Menjëherë për dorëzimin e parave është vënë në dijeni policia e cila ka ndërhyrë për të kapur në flagrancë oficerin 51-vjeçar. Forcat e policisë kanë shkuar ditën e djeshme në banesën e Marinës në Durrës ku pas një kontrolli i gjetën shumën e parave prej 10 mijë eurosh e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ai u shoqërua në ambientet e policisë ku dhe iu komunikua masa e arrestit. Burime nga policia thanë se Thoma Morina nuk ka pranuar të flasë para oficerëve të policisë, pa praninë e avokatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›