E Shtunë, 31 Tetor 2026

Certifikata false për kombësinë greke

Gjykata e Korçës

Zbulohen dhe dërgohen për ndjekje penale në Prokurorinë e Korçës tri raste të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, me qëllim përfitimin e kombësisë greke.Policia e Korçës që ka hetuar këto raste falsifikimi, ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë një grua dhe djalin e saj, si dhe një tjetër banor të këtij qyteti. Vepra e falsifikimit të dokumenteve zyrtare, si certifikata, që dëshmojnë për gjendjen familjare dhe origjinën, mësohet se ka qenë nën hetim prej disa kohësh nga ana e policisë. Policia, e cila ka siguruar provat e duhura për këta tre persona: 61-vjeçaren Donika Çobani, djalin e saj, Marsel Çobani, si dhe 33-vjeçarin Jorgo Lara nga qyteti i Korçës, tha se ata kanë përdorur certifikata që janë falsifikuar, me qëllim që ti përdornin për dokumente të kombësisë dhe përfitimeve në Greqi. Falsifikimi i dokumenteve është zbuluar, pasi këta tre persona kanë dashur të rinovojnë dokumentet për të dëshmuar kombësinë në Greqi. Kjo sepse nga ana e shtetit grek kërkohet konfirmimi i dokumenteve të kombësisë për ata persona që më parë e kanë deklaruar këtë kombësi dhe kanë përfituar karta dhjetëvjeçare. Mirëpo, ky rinovim dokumentesh ka si procedurë kalimin e certifikatave dhe vërtetimeve të tjera për verifikim së pari në polici, për të marrë miratimin në Ministrinë e Brendshme. Pikërisht gjatë këtij verifikimi në polici, është zbuluar se këta tre persona kanë siguruar certifikata false dhe për këtë janë dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë. Sipas policisë, të tre këta persona akuzohen paraprakisht se kanë falsifikuar aktet e gjendjes civile. Policia, për efekt hetimesh nuk bëri të ditur hollësira se në çfarë rrethanash janë kapur këta tre persona me dokumente të falsifikuara. Sipas policisë, në datën 26 prill, në orët e mëngjesit janë çuar në Prokurorinë e Korçës për ndjekje penale në gjendje të lirë dosjet e tre shtetasve. Ndjekja penale për këta tre persona, që do të kryhet në gjendje të lirë, i shtohet edhe dy rasteve të tjera që ka në hetim Prokuroria e Korçës për falsifikim dokumentesh zyrtare për ndryshim kombësie. Prokuroria e Korçës mësohet se ka nisur një procedim për dy raste ndërsa hetimi, duke u nisur nga disa certifikata që dyshohen të jenë të falsifikuara dhe që janë paraqitur në mënyrë zyrtare mes kërkesave për ndryshim të kombësisë. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Korçës kanë thënë se procedimi penal ka nisur për ndryshimin e paligjshëm të kombësisë nga shqiptare në greke përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Spahiu në Gjykatën e Korçës: Kujdes me kombësinë

Më 7 shkurt, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu pati një takim në Gjykatën e Korçës, duke kërkuar që gjyqësori të vlerësojë si duhet kërkesat për ndryshim kombësie. Gjatë këtij takimi, Spahiu bëri të njohur faktin se për një periudhë 2-vjeçare në Gjykatën e Faktit në Korçë janë shqyrtuar 192 kërkesa për ndryshim kombësie. Pjesa më e madhe për të kthyer kombësinë nga shqiptare në greke, por tha se ato duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi kërkesat bëhen me qëllim interesa, duke cenuar integritetin e vendit.

Aleanca Kuq e zi, në Ersekë për peticionin

ERSEKE Aleanca Kuq e zi mbërriti dje në juglindje të vendit për të firmosur peticionin kundër regjistrimit të popullsisë me baza etnike dhe fetare. Ata kanë ftuar qytetarët e Ersekës për të nënshkruar këtë peticion, qëllimi i të cilit është të arrihen 20 mijë për të kërkuar ndryshimin e ligjit të ri të Gjendjes Civile. Nëpërmjet këtij ligji qytetarët janë të detyruar që të deklarojnë kombësinë dhe fenë së cilës i përkasin. Nga Erseka ata kanë thënë se është i papranueshëm qëndrimi i shtetit shqiptar, ndërsa kërkojnë që të hetohet procesi i falsifikimeve të kombësisë. Sipas përfaqësuesve të Aleancës, lëvizja do të zgjerohet më tej pas zgjedhjeve të 8 majit. Vetëm një ditë më parë, përfaqësuesi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese rrëzoi kërkesën e tre gjyqtarëve nga rrethet për të shfuqizuar disa prej neneve të ligjit.

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›