Ekstradohet trafikanti i 33 njerëzve
Ekstradohet nga Spanja Agim Sufa, një nga personat kryesorë të akuzuar në operacionin Klandestini të vitit 2008, i zhvilluar pas hedhjes në det të 33 klandestinëve.Sipas Policisë së Shtetit, 40-vjeçari Agim Sufa, nga Laçi, akuzohet se në janar të vitit 2008, në bashkëpunim edhe me 12 persona të tjerë, ka tentuar të trafikojë me gomone drejt Italisë 33 klandestinë, të cilët më pas, gjatë ndjekjes nga policia i kanë hedhur në det. Ndryshe nga pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët u gjykuan bashkë, Agim Sufa përfitoi ndarjen e çështjes nga bashkëpunëtorët e tij, duke u gjykuar veçmas tyre në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas arrestimit të bujshëm në një kazino në qendër të Tiranës, më 25 janar të vitit 2008, Agim Sufa rifitoi lirinë, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi për të masën e sigurisë arrest shtëpie. Pas vendosjes së kësaj mase, i akuzuari nuk e respektoi këtë masë sigurimi dhe u shpall sërish në kërkim nga policia e më pas edhe në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Rreth një vit më parë, më 13 maj të vitit 2010, u konfirmua arrestimi i tij në kryeqytetin spanjoll, Madrid, ku ai rezulton të ketë qëndruar në burg, deri në përfundim të procedurave për ekstradimin e tij, që u krye dy ditë më parë. Koha gjatë së cilës ai ka qëndruar në qeli në burgun spanjoll, do i zbritet nga dënimi, duke u njohur edhe nga drejtësia shqiptare. Proceduralisht, mësohet se pas mbërritjes në Shqipëri, gjykatat do të llogarisin kohën e dënimit të vuajtur nga Sufa, i cili rrezikon të lirohet.
SKEMA E TRAFIKUT
Gjatë procedurave hetimore, të kryera nga oficerët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar gjatë viteve 2007-2008, janë provuar me anë të përgjimeve telefonike, 5 raste trafikimi klandestinësh drejt Italisë, në datat: 18 tetor 2007, 6 nëntor 2007, 6 dhjetor 2007, 10 janar 2008 dhe 19 janar 2008. Në përbërje të rrjetit kriminal që mundësonte trafikun me gomone drejt brigjeve italiane, janë konfirmuar 13 persona, Agim Sufa (Gimi i Fates), çështja e të cilit u veçua më vonë nga pjesa tjetër e grupit, Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Aleksandër Malaj, Rexhep Cuku, Dilaver Hajdini, Gramoz Tafaj, Ardian Marku, Altin Gjeloshi, Ndrek Preçi, Paulin Marku, Pjetër Tusha dhe Lek Frroku. Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e grupit kriminal, që më 11 janar 2008 tentoi të trafikonte 33 klandestinë në drejtim të Italisë, por pasi nuk zbarkoi dot në afërsi të Pulias, hodhi në det të hapur pranë Tales së Lezhës të gjithë klandestinët, gjysma e të cilëve ishin në moshë të mitur. Hetimet ndaj tyre kanë filluar në korrik 2007 dhe gjatë vendimit të gjykatës janë zbardhur të gjitha bisedat telefonike dhe skema që ata përdornin për trafikun, që fillonte nga Tirana drejt Malësisë së Madhe, më pas nëpërmjet kufirit tokësor dhe detar, arrinin të trafikonin drejt Italisë në rrugë detare nga Lezha ose tokësore nga Mali i Zi, grupe të ndryshme klandestinësh që paguanin 3500 deri në 4 mijë euro.
Të akuzuarit
1. Agim Sufa, çështja është veçuar nga anëtarët e tjerë të grupit
2. Ardian Corri, i dënuar me 11 vjet burg
3. Gëzim Tafaj, i dënuar me 11 vjet burg
4. Aleksandër Malaj, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg
5. Rexhep Cuku, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg
6. Dilaver Hajdini, i dënuar me 4 vjet burg
7. Gramoz Tafaj, çështja është veçuar nga anëtarët e tjerë të grupit
8. Ardian Marku, i dënuar me 6 vjet burg
9. Altin Gjeloshi, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg
10. Ndrek Preçi, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg
11. Paulin Marku, çështja është veçuar nga anëtarët e tjerë të grupit
12. Pjetër Tusha, i dënuar me 4 muaj burg
13. Lek Frroku, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg
Trafiku i drogës
Nga shqyrtimi i çështjes në ngarkim të 13 të akuzuarve, rezultoi se Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, në datë 7 gusht 2007, ka regjistruar procedimin penal nr.50, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim. Procedimi ka nisur në bazë të përgjimeve, por edhe nga materialet e dërguara me një shkresë nga Karabinieria e Rajonit Friuli-Venezia-Giulia, Itali, për bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare në kryerjen e një operacioni të përbashkët.
Agim Sufa
I ekstraduari Agim Sufa, sipas burimeve nga policia, ka qenë person i akuzuar edhe për rrëmbimin e ish-shefit të Komisariatit të Policisë së Laçit, Luan Mema. Sipas policisë, Agim Sufa ka qenë në grupin e personave që në vitin 2002 rrëmbyen ish-shefin e Komisariatit të Policisë së Laçit, pas një sherri që zyrtari i policisë ka pasur në një ambient publik me një vartës të tij, të cilin e kishte qëlluar me pëllëmbë në fytyrë. Megjithatë, kjo akuzë mbeti e paprovuar nga policia dhe Agim Sufa u la i lirë pas shoqërimit.
Grupi i trafikut hodhi në det të hapur 44 klandestinë
TIRANE – Grupi kriminal, ku akuzohet se bënte pjesë edhe Agim Sufa, është hetuar për disa muaj me radhë nga policia shqiptare me anë të metodave speciale të hetimit. Përgjimet kanë nisur fillimisht ndaj dy pjesëtarëve të grupit, të cilët drejtonin mjetet që trafikonin klandestinët, Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj. Gjatë hetimeve, është zbuluar se grumbullimi i personave që paguanin paratë, kryesisht një shumë nga 3500-3900 euro, ishte Zogu i Zi në Tiranë. Të interesuarit transportoheshin nga qytete të ndryshme të vendit, me makina kryesisht me targa të huaja, që përdornin organizatorët e trafikut dhe më pas tek Zogu i Zi hipnin në furgonët që i transportonin në drejtim të Laçit, Lezhës dhe Malësisë së Madhe. Më pas vendosej nëse klandestinët, kryesisht të moshave të reja, adoleshentë dhe të rinj, do ta kalonin ilegalisht kufirin në rrugë tokësore, duke kaluar nga Mali i Zi, në Kroaci, Slloveni e më pas në Udine të Italisë, apo me gomone nga Lezha drejt Italisë. Një ndër episodet e përgjuara nga oficerët e policisë dhe që mund të kishte rezultuar fatal për jetën e klandestinëve, ka qenë rasti i hedhjes në det të hapur të 44 personave, pasi trafikantët që drejtonin gomonet drejt Italisë ishin zbuluar nga policia. Nga vendimi i gjykatës rezulton se më datë 10 janar 2008, rreth orës 20:00 në grykëderdhjen e lumit Mat është nisur një gomone në drejtim të shtetit italian. Për të siguruar dhe organizuar këtë udhëtim me skaf nga plazhi i Patokut (grykëderdhja e lumit Mat) në drejtim të Italisë, sipas organit të akuzës kanë bashkëpunuar të akuzuarit Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Dilaver Hajdini, Lek Frroku, Ardian Marku, Altin Gjeloshi, Ndrek Preçi, Paulin Marku, Pjetër Tusha, (Agim Sufa për të cilin janë ndarë materialet). Ata kanë siguruar 44 persona, kundrejt një shumë prej 3900 euro për çdo shtetas, sipas një marrëveshjeje të mëparshme dhe është realizuar nisja e gomones, e gjatë dhjetë metra dhe me dy motorë të fuqishëm. Kalimi i paligjshëm i tyre nuk u realizua, pasi u penguan në det nga Guardia di Finanzia e, për rrjedhojë, gomonia është kthyer mbrapsht, duke hedhur në afërsi të bregut të detit shtetasit që do iknin në drejtim të Italisë. I sinjalizuar për ngjarjen, por e vënë në dijeni edhe nga bisedat telefonike që të akuzuarit kryenin me njëri-tjetrin, policia ka mundur të shkojë në kohë të shpejtë drejt vendit të ngjarjes, duke shoqëruar të gjithë klandestinët, të cilët janë marrë në pyetje në Komisariatin e Policisë së Lezhës. Ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është bërë e mundur, për shkak të errësirës, por vetëm është kryer fotografimi i gomones. Ndërsa policia është rikthyer të nesërmen në orët e para të mëngjesit në vendin ku u hodhën klandestinët, duke kryer të gjitha procedurat e nevojshme hetimore.
Etleva Delia