Certifikatat false, ndalohet nëpunësja dhe 4 persona
KRUJË – Një nëpunëse e Gjendjes Civile dhe katër shtetas të tjerë janë ndaluar për lëshimin dhe përdorimin e certifikatave të falsifikuara në komunën Bubq të rrethit të Krujës. Dyshimet kanë lindur kur disa persona kanë aplikuar për të marrë pasaporta dhe pas verifikimeve të para kanë dalë gjeneralitete të ndryshme krahasuar me ato të regjistrit të Gjendjes Civile. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Durrës bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj zyrtares së Gjendjes Civile Nexhmije Gjoni, lindur në Tiranë dhe banore në fshatin Budull të rrethit të Krujës, si dhe ndaj Artan Dodës, Gentjan Laskës, Blerim Kaziut dhe E. H., që të gjithë të banorë të komunës Bubq. Kaq ka mjaftuar që të nisin hetimet, të cilat u pasuan me ndjekjen penale për zyrtaren e pushtetit vendor.
Falsifikimi
Disa shtetas, për motive të ndryshme, kanë ndryshuar gjeneralitetet e certifikatave familjare dhe personale. Por, në momentin që ato janë dorëzuar për të marrë pasaporta, kanë rezultuar me të dhëna të dyshimta. Të paktën katër raste janë identifikuar në komunën Bubq të rrethit të Krujës. “Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Nexhmije Gjonit, 55 vjeçe, për veprën penale të ‘falsifikimit të akteve të Gjendjes Civile’”, - thonë burimet zyrtare. Sipas tyre, “kjo shtetase, duke qenë me detyrë punonjëse në Gjendjen Civile të Komunës Bubq, ka lëshuar certifikata personale për shtetas të ndryshëm, duke falsifikuar datëlindje, vitlindje dhe gjeneralitete të tjera”. Këto certifikata janë përdorur më pas për nxjerrjen e pasaportave. “Procedimi penal ka filluar dhe për shtetasit që janë pajisur me këto certifikata dhe i kanë përdorur si dokument identifikimi duke i paraqitur pranë Komisariatit të Policisë për t’u pajisur me pasaportë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së qarkut Durrës.
Hetimet
Burimet zyrtare bëjnë të ditur se pas verifikimit të arkivës së seksionit të pasaportave në Komisariatin e Krujës, u ndaluan shtetasit; Artan Doda, 32 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bubq. “Në vitin 2004, shtetasi Artan Doda është pajisur me pasaportë ndërkombëtare duke paraqitur për këtë një certifikatë personale me fotografi, në të cilën është shënuar datëlindja 28.04.1977. Pas këqyrjes së regjistrit themeltar në komunën Bubq rezulton se datëlindja e saktë e këtij shtetasi është 26.04.1977. Policia nisi hetimet edhe për Gentjan Laskën, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Murqinë. Edhe ky shtetas kishte ndryshuar datëlindjen në dokumentin që paraqiti për pasaportë. Personi i tretë në hetim është shtetasi Blerim Kaziu, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Budull. Së fundi, në listën e personave në hetim është edhe E. H., 28-vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Mazhe e Madhe. Që të gjithë këta persona akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “falsifikimit të akteve të gjendjes civile”. “Materialet i kaluan Prokurorisë së Krujës për ndjekje të mëtejshme”, - thonë burimet zyrtare të Policisë.
Eksploziv në minierën e Bulqizës, vetëm dëme materiale
BULQIZË - Një sasi eksplozivi shpërtheu dje pasdite në minierën e Bulqizës. Shpërthimi ka ndodhur në galerinë 12, zona D. Policia tha se u sinjalizua nga disa punëtorë dhe banorë të zonës për shpërthimin e fuqishëm. “Nga të dhënat e deritanishme mendohet se eksplozivi i vendosur në galerinë e minierës, ka qenë të paktën 300 gramë”, - thonë burimet zyrtare. Një grup ekspertësh ka shkuar në vendngjarje dhe sipas tyre nuk ka asnjë person të lënduar. Njësitë Antieksploziv kanë mbledhur të dhënat për të shqyrtuar llojin e lëndës eksplozive dhe detaje të tjera. Disa punonjës dhe banorë të zonës janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërsa ende nuk është e qartë mënyra si është arritur të vendoset eksplozivi apo autorët e këtij akti.
Gjendet kokainë në një makinë, arrestohet pasagjeri
SHKODËR - Një 31-vjeçar nga Fushë-Kruja është arrestuar dy ditë më parë nga policia e Shkodrës pasi kishte fshehur në makinën në të cilën ndodhej si pasagjer një sasi kokaine. Burime nga policia thanë është ndaluar mbrëmë, në vendin e quajtur ura e Bahçallëkut në Shkodër, automjeti me targa EL 1420 C tip Golf dhe pas një kontrolli të ushtruar është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 41.2 gramësh lëndë në trajtë pluhuri e ngjyrë të bardhë, e cila dyshohet të jetë drogë e llojit kokainë. Policia bëri të ditur se pronari i makinës ku u gjet droga, shtetasi D. S., nuk mori përsipër pronësinë e lëndës narkotike, ndërsa hetimet treguan se ajo i përkiste pasagjerit të makinës, shtetasit Bilal Kulla. Ndaj tij u mor masa e menjëhershme e arrestit për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
16 Nentor 2009