E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi “verbohet” për certifikimin e mandatit të Idrizit



Laureta Rryçi

Situata e krijuar në legjislaturën e re të Kuvendit duket se për të pasur një deputet më shumë në sallë, drejtuesit janë të gatshëm ta shkelin procedurën me të dyja këmbët. Ndërsa dy muaj me radhë kryetares Jozefina Topalli i është dashur të drejtojë një anije në një det të bindshëm, dëshira për të certifikuar një mandat më shumë duket se e ka “verbuar” jo vetëm atë, por dhe të gjithë Komisionin e Verifikimit të Mandateve. Më 29 tetor, Shpëtim Idrizi jo vetëm bëri betimin si deputeti më i ri, por u prezantua publikisht si kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet. Deri këtu duket se gjithçka është brenda normalitetit të zakonshëm të punimeve parlamentare. Mirëpo, një kërkesë e disa ditëve më vonë e Shpëtim Idrizit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës tregon se Kuvendi ka pranuar për subjekt të ligjshëm një parti ende inekzistente, të paktën pa një vendim gjykate që e njeh dhe pa regjistrimin e saj në Librin e Partive Politike. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm faqen zyrtare të Kuvendit, ku thuhet se betohet kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, si dhe faqen në internet të Gjykatës që tregon se kërkesa për legalizimin e kësaj partie është depozituar disa ditë më vonë; padi që vazhdon të shqyrtohet në Gjykatë edhe sot.
Shkelja
“Në hapje të seancës, zoti Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, bëri betimin sipas formulës të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, që u lexua nga kryetarja Topalli.
Në fjalën e tij përpara deputetëve, zoti Idrizi paraqiti prioritetet e partisë që ai përfaqëson, duke nënvizuar, ndër të tjera, çështjen kombëtare”. Kështu thuhet në deklaratën zyrtare të Kuvendit në ditën kur Idrizi bëri betimin. Ndërkohë që padia e depozituar në Gjykatën e Tiranës disa ditë më vonë ka si objekt “Legalizimin dhe regjistrimin e Partisë Drejtësi dhe Unitet në Regjistrin e Partive Politike pranë kësaj gjykate”. Kjo padi, sipas informacioneve zyrtare të Gjykatës së Tiranës, është në shqyrtim nga gjyqtarja civile Teuta Hoxha. Idrizi me këtë padi nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndjekur procedurën e zakonshme që ndjekin për të legalizuar partitë e reja si subjekte politike. Sipas procedurës, pa një vendim gjykate që njeh ekzistencën e partisë, ligjërisht nuk ekziston si subjekt politik dhe nuk mund të jetë si pjesë e zgjedhjeve, për pasojë dhe e Kuvendit.
Verifikimi
Rregullorja e përcakton qartë procedurën që duhet të ndiqet nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve për deputetët para se të bëjnë betimin. Sipas Rregullores, Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një komision të përkohshëm për verifikimin e mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe kryesinë e komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Më pas, Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve duhet të shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda dy ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin.

Të dhëna të marra në faqen e Gjykatës së Tiranës
Detaje të çështjes civile nr. 13968
Gjykata e Shkallës së Parë
Nr. i çështjes: 13968
Dt. e regjistrimit: 2.11.2009
Paditësit: Shpëtim Idrizi
Të paditurit:
Lloji i çështjes: Padi të tjera (Çështje Tregtare)
Baza ligjore:
Objekti: Legalizimin dhe regjistrimin e Partisë Drejtësi dhe Unitet në Regjistrin e Partive Politike pranë kësaj gjykate
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtare: Teuta Hoxha

Neni 3
Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve

1. Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij.
2. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin.

Neni 13
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

1. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga kryetari i Kuvendit, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga kryetari i Kuvendit.
2. Këshilli studion propozimet për ndryshimin e Rregullores, jep mendime për çështje të interpretimit të Rregullores, sipas Nenit 116 të kësaj rregulloreje, si dhe për konfliktet në lidhje me kompetencat ndërmjet komisioneve të Kuvendit.
3. Me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Këshilli shqyrton kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti, në përputhje me nenin 118 dhe nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të ndaluar ose të arrestuar, sipas Nenit 119 të Rregullores.
4. Këshilli shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare.
5. Këshilli verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare.
6. Këshilli mblidhet në mënyrën e parashikuar nga kjo rregullore për komisionet e përhershme.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›