Lista me emrat e 211 pronarëve fitues të fondit të kompensimit financiar
Eljona Ballhysa
Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave shpalli dje listën me emrat e 211 pronarëve që kanë rezultuar fitues dhe përfitojnë para nga fondi i përcaktuar për vitin 2009. Nga 521 ish-pronarë që kishin aplikuar për fondin 1.2 miliardë lekë, pas verifikimeve të bëra nga ekspertët e Agjencisë për dokumentacionin e paraqitur nga ish-pronarët, kanë rezultuar fitues vetëm 211 të tillë. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Elvis Çefa, gjatë një deklarate për shtyp bëri të ditur se aplikuesit e tjerë nuk kanë rezultuar fitues për shkak se kanë përfituar më parë tokë në bazë të Ligjit 7501, ose kanë pasur pasaktësi të hartave dhe mungesa në dokumentacionin e paraqitur pranë zyrave të AKKP-së. Ndërsa një pjesë tjetër e ish-pronarëve që kanë aplikuar nuk kanë përfituar nga fondi për shkak të pamundësisë financiare dhe për këtë qëllim Çefa u bëri thirrje kësaj kategori që të aplikojnë sërish për të përfituar nga fondi i vitit të ardhshëm, i cili tha ai mund të miratohet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Deklarata
“Nga AKKP-ja është përfunduar vlerësimi i 521 kërkesave të subjekteve të shpronësuara për përfitimin nga fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin financiar për vitin 2009. Ky fond, i vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për vitin 2009, është në shumën prej 1 miliard e 274 milionë lekësh dhe përbën në mënyrë absolute fondin më të madh të akorduar ndonjëherë nga qeveria në favor të subjekteve të shpronësuara. Në përfundim të vlerësimit kanë rezultuar fitues nga fondi i kompensimit të këtij viti 211 subjekte të shpronësuara sipas renditjes kronologjike të datës së vendimit. Vendimi i fundit përfitues nga ky fond daton më 1 tetor 1996”, - është shprehur Çefa, ndërsa ka sqaruar se pronarët që nuk kanë rezultuar fitues do të njoftohen për arsyet e skualifikimit. “Subjektet, të cilat kanë aplikuar me vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 1 tetor 1996 dhe nuk rezultojnë në listën e fituesve, janë skualifikuar për arsye se: kanë përfituar kthim prone me vendimin për të cilin kanë aplikuar apo me vendime të tjera; kanë përfituar ata vetë apo një pjesë e trashëgimtarëve të tyre tokë nga Ligji 7501; kanë pasur pasaktësi thelbësore hartografike në vendimet e tyre, çka e ka vënë AKKP-në në pamundësi ligjore të trajtimit pozitivisht të aplikimit të tyre; kanë pasur mungesa të dokumentacionit ligjor shoqërues të aplikimit. Të gjithë aplikuesve do t’u dërgohet në adresat e depozituara vendimi i AKKP-së për kompensimin financiar, në të cilin janë argumentuar të gjitha arsyet ligjore të kualifikimit apo skualifikimit”, - është shprehur drejtori i AKKP-së. “AKKP-ja fton të gjitha subjektet e shpronësuara përfituese sipas listës së mësipërme, që duke filluar nga dita e mërkurë, datë 18 nëntor 2009, të paraqiten në AKKP për të depozituar numrin e llogarisë në të cilin AKKP-ja do të bëjë kalimin e shumave respektive”, - është shprehur Çefa.
Ligori: “Vendimi i qeverisë për pronat publike është në interes të familjes së Berishës”
Partia Socialiste ka reaguar dje kundër deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili hodhi idenë e amendimit të ligjit për t’i dhënë të drejtë qeverisë të shesë me ankand tokat publike, me qëllim rritjen e çmimit për metër katror në mënyrë që të rritet fondi i të ardhurave për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Përfaqësuesja e Partisë Socialiste deputetja, Shegushe Ligori, u shpreh gjatë një deklarate për shtyp se ky vendim i qeverisë është në interes vetëm të familjes së Berishës. “Dje Sali Berisha na tregoi të gjithëve se familja dhe shteti janë bërë një. Dje kryeministri u bëri sërish të qartë shqiptarëve se qeveria është vënë në interes të familjes dhe tashmë kjo bëhet haptazi. Pasi u dha mundësinë vajzës dhe ministrave të tij të privatizojnë tokat dhe vilat në bregdet, pasi përdori Policinë e Shtetit kundër pronarëve të ligjshëm në Orikum për të ndihmuar Rrahmanin, mikun e ngushtë të djalit tij, pasi rrethoi forcërisht një pronë private në Tiranë, të cilën njërën ditë Olldashi e mbolli me shkurre, ditën tjetër Berisha vendosi ta shiste, konflikti i interesit arriti dje kulmin, me vendimin e marrë nga qeveria për të shitur tokën publike. Nga të gjitha fjalët që tha dje Sali Berisha, vetëm një gjë ishte e vërtetë. Vendimi i djeshëm bëhej për të maksimalizuar fitimin. Por Berisha nuk e kishte fjalën për fitimin e pronarëve, as fitimin e shqiptarëve, por fitimin e familjes së tij. Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës t’i mbajë duart larg pronës së shqiptarëve dhe të ndalojë zinxhirin e abuzimeve dhe korrupsionit që po ndodh sot me pronat dhe asetet publike”, - është shprehur Ligori.
16 Nentor 2009