E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërohen në polici 20 persona për grabitjen e bankës në Fier



FIER – Grabitja e bankës në mes të ditës është pasuar me shoqërimin në polici të rreth 20 personave, të cilët janë pyetur në lidhje me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë. Burime zyrtare të Policisë bëjnë me dije se të shoqëruarit po mbahet në seanca pyetjesh nga hetuesit, ndërsa po merren edhe gjurmët e tyre të gishtave. Sipas burimeve, të gjithë të dyshuarit, 20 persona, janë nga qyteti i Fierit dhe kryesisht të rinj në një moshë të përafërt me përshkrimet e dhëna nga dëshmitarët për autorin e grabitjes me armë dhe me maska ndodhur ditën e djeshme në qendër të qytetit të Fierit. Grupi i hetimit tha se po analizon imazhet e marra nga kasetat e kamerave të sigurisë, si dhe gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se autori i ngjarjes është i moshës rreth 30 vjeç. Dy ditë më parë, një person i maskuar dhe i armatosur hyri në mjediset e bankës Raiffeisen në qytetin e Fierit dhe pasi mori një sasi të konsiderueshme parash, u largua nga vendi i ngjarjes me një makinë që mbante targa belge.

Breshëri plumbash në lokalin e kunatit, prangoset bashkë me nipin

DURRËS – Një borxh i vjetër financiar e ka nxitur një shtetas që bashkë me nipin e vet të shkatërrojë lokalin e kunatit të tij, duke e qëlluar me një breshëri plumbash. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se policia ka ndaluar dy ditë më parë, rreth orës 18:00, shtetasin Agron Dervishi, bashkë me nipin e tij Maringlen Kolgjini për ngjarjen e ndodhur në fshatin Sukth. Sipas tyre, Dervishi, lindur në Lukan të Dibrës dhe banues në Sukth, se bashku me nipin e tij 21-vjeçar, lindur dhe banues në komunën Xhafzotaj, kanë shkuar me makinë te lokali i kunatit të Agronit (burri i motrës), shtetasit Bujar Axhes, 38 vjeç, banues në Katund Sukth dhe me një armë zjarri kallashnikov në dorë kanë qëlluar duke shkaktuar dëmtimin e një autoveture me targa të huaja, BB 411 SX dhe fasadën e barit. Brenda disa orësh policia arriti të ndalojë shtetasit Agron Dervishi dhe Maringlen Kolgjini. Nipi i Dervishit është lënë i lirë pasi ka dëshmuar për ngjarjen. Ekspertët sekuestruan në cilësinë e provës materiale 29 copë gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm si dhe autoveturën e dëmtuar, por arma është zhdukur. Sipas pretendimeve të personit të prangosur, arma është hedhur në lumin Erzen. Materialet në ngarkim të shtetasit Agron Dervishi pritet t’i kalojnë prokurorisë pasi akuzohet për veprat penale të “kanosjes”, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “prishje të qetësisë publike” dhe “shkatërrimit të pronës”.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›