E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha plas “bombën” e radhës: “Do të marrim toka të reja nga deti”



Kryeministri Sali Berisha nuk ka vonuar të hedhë “shashkën” e radhës por kësaj here kundër detit. Vetëm dy ditë më parë në mbledhjen rutinë të Këshillit të Ministrave, në të cilën është diskutuar gjerësisht për çështjen e pronave private dhe kompensimin e tyre, kryeministri Berisha ka propozuar marrjen e tokave nga deti. Kjo që mund të dukej si një shaka e kryeministrit ka qenë në fakt një propozim konkret i bërë për disa ministri duke iu drejtuar atyre të Mjedisit dhe Bujqësisë në radhë të parë. Sipas këtij propozimi që fillimisht tingëlloi si absurdi i radhës, kryeministri kërkoi nga kabineti i tij që të merren të gjitha masat dhe të bëhen studimet e duhura për të marrë sa më shumë tokë nga deti, duke iu bazuar modelit holandez. “Nuk kemi pse ta lëmë detin që me veprimtarinë e tij erozive të na gllabërojë toka buke. Ne duhet të luftojmë dhe ti marrim atij sa më shumë sipërfaqe, për ti kthyer në toka pjellore, ose për ti përdorur pse jo edhe për kompensim për ish-pronarët. Për këtë duhet të kemi parasysh modelin e Holandës dhe vendeve të ulëta”, - deklaroi Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Por edhe pse ideja e tij nuk u kuptua mirë nga anëtarët e kabinetit qeveritar, rekomandimet ishin kryesisht për dy ministritë e linjës, atë të Mjedisit dhe të Bujqësisë. Kjo e fundit, sipas kryeministrit, ka për detyrë marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e tokave aktuale më qëllim mosavancimin e mëtejshëm të detit.

Propozimet

“Erozioni i detit po na grabit tokat në bregdet”. Këtë shqetësim e shprehu dy ditë më parë kryeministri Berisha duke iu referuar nivelit të lartë të erozionit në zonat bregdetare të vendit, si pasojë e ngrohjes globale. Ai deklaroi se, “dëshiron të marrë masa për të mbrojtur tokat nga grabitja e detit”. Kryeministri iu referua zonave bregdetare aluvionale si Gjiri i Drinit, Gjiri i Lalzit, Divjaka dhe Semani, si zonat më të prekura nga erozioni. "Ky është një detyrim shumë i rëndësishëm dhe një vendimmarrje e madhe. Shqipëria është vend me pak tokë dhe toka e saj po mbartet me shpejtësi të madhe në dete. Së dyti, si rezultat i ngrohjes globale, është e sigurt se sipërfaqe të rëndësishme toke do të ‘grabiten’ nga deti, veçanërisht nga Narta deri në Velipojë. Ndaj duhet të parashikohet mbrojtja e tokës, si pasojë e ngritjes së deteve, me praktikat më të mira të mundshme, për ndryshe, ne do të humbim shumë tokë në gjirin e Drinit, në Divjakë, Golem dhe në të gjithë Ultësirën Bregdetare", u shpreh Kryeministri.

Fenomeni

Hedhja e ideve të tilla, si kjo për marrjen e tokave nga deti, nuk është e para që bëhet nga kryeministri Berisha. E tillë ka qenë edhe ajo e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ullinj në vend, ku me gjithë shumën e madhe të parave që duhen për t’i blerë ato, vështirë të gjendet aq hapësirë toke në vend sa Shqipëria për të mbjellë gjithë ato pemë, pasi dihet se ulliri është bimë që nuk mund të mbillet në çdo lloj vendi dhe në çdo lloj lartësie mbi nivelin e detit. Të tjera ide absurde ose “bomba tymse” për të shmangur vëmendjen nga realiteti, të bëra prej kryeministrit Berisha kanë qenë edhe ideja e “Shqipërisë Atomike” për ngritjen e disa centraleve bërthamore për prodhimin e energjisë. Një tjetër ide e çmendur, jo e parealizueshme por që zë një kosto të paimagjinueshme financiare dhe të papërballueshme nga shteti shqiptar ishte dhe ajo e fundit e cila synonte ndërtimin e linjës hekurudhore drejt Kosovës, paralel me korridorin Durrës-Kukës-Morinë. Të gjitha këto të lëshuara kohët e fundit nga kryeministri Berisha, vulosen nga kjo e fundit ku qeveria duhet të punojë që të spostohet deti dhe t’i merren tokat, njësoj si në Holandë.
e

Shkurt
Kriza ekonomike, mblidhen në Singapor krerët e vendeve të Azisë dhe Paqësorit

Dje në Singapor u takuan presidentët dhe kryeministrat e 21 vendeve anëtare të Forumit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit, “APEC”, në samitin e tyre të përvitshëm. Në qendër të këshillimeve të forumit, në të cilin bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina e Rusia do të jetë luftimi i mëtejshëm i krizës ekonomike mbarëbotërore. Ekspertët e vendeve të Lindjes së Largët do të diskutojnë mbi efektet konkrete të saj në ekonomitë e tyre, si edhe mundësinë e parandalimit të përkeqësimit të tyre, edhe pse nga disa raporte të fundit thuhet se kriza ekonomike duket se ka përfunduar e ndihet një rimëkëmbje e ekonomisë botërore. Ky forum ekonomik përkon në të njëjtën kohë edhe me vizitën e presidentit amerikan Barak Obama në Azi, ku ai po qëndron për një tur 8 ditor, në të cilin ka në plan të zhvillojë takime me autoritetet e larta të këtij rajoni, për të marrë në shqyrtim diskutimin e çështjeve ekonomike, por edhe atyre ushtarake e të stabilitetit ndërkombëtar.

Bie çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare, ari i zi shitet 76 dollarë∕fuçia

Çmimi i arit të zi ka nisur rënien në bursat ndërkombëtare. Situata vjen menjëherë pas një rritjeje të pak javëve të mëparshme. Në bursën e Nju Jorkut nafta është kuotuar me 76 dollarë për fuçi, duke regjistruar kështu një rënie prej 0.6 për qind. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës do ta analizojë sërish ecurinë e çmimit të naftës në mbledhjen e ardhshme atë të dhjetorit në Angola, duke u bërë element përcaktues për vendimin lidhur me nivelin e prodhimit. Aktualisht, këto vende prodhojnë 25 milionë fuçi naftë në ditë. Rënia e çmimit të naftës ka vijuar pas rënies së indekseve të bursave në Evropë dhe Azi dhe përforcimit të dollarit në krahasim me valutat tjera. Nafta zakonisht lirohet kur valuta amerikane përforcohet, pjesërisht për shkak asaj se çmimi i këtij produkti në tregjet ndërkombëtare shprehet në dollarë. “Rritja e vlerës së valutës amerikane me siguri është faktori më i rëndësishëm, i cili tani ndikon në shtrenjtimin e lëndëve të para, e veçanërisht të naftës”, - deklaroi analisti Eugen Vajnberg.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›