Kontributet shoqërore dhe shëndetësore, sa duhet të paguajnë të pasiguruarit
Jonida Tashi
Zbardhen pagesat e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, që duhet të paguajnë të pasiguruarit për të përfituar pensione dhe vizita falas te mjeku, ose me tarifa të reduktuara. Personat e papërfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore do të jenë të parët që do t’i paguajnë më shtrenjtë vizitat mjekësore. Pas vendimit të marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), vizitat mjekësore në spitalet e specializuara në vend do të kushtojnë 30 mijë lekë, në rast se pacienti paraqitet pa rekomandimin e mjekut. Madje, ky rregull nuk do të vlejë vetëm për pacientët e pasiguruar, por edhe për ata që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. E vetmja zgjidhje për qytetarët që nuk i përballojnë dot kostot e vizitave të “kripura” në spitale është që ata të vetësigurohen nëpërmjet sigurimit vullnetar. Sigurimi vullnetar përfshin të gjithë individët, që janë të vetëpunësuar në qytet ose në fshat, që vetësigurohen për të përfituar të njëjtat shërbime me të siguruarit. Për të filluar sigurimin vullnetar, personi i interesuar duhet të paraqitet pranë drejtorive rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Vetëm një vit, pas derdhjes së shumave të caktuara të kontributeve, i siguruari mund të përfitojë nga shërbimet që ofron skema. Libreza e shëndetit është një dokument mjaft i rëndësishëm, që provon se një person është i siguruar. Pacientët që janë të siguruar, kur shkojnë në spital, përveç librezës, duhet të paraqesin dhe rekomandimin e dhënë nga mjeku i familjes. Vetëm në rastet kur faktohet se mjeku i familjes nuk e merr përsipër trajtimin e mëtejshëm, pacienti i nënshtrohet vizitës në spital duke mos paguar tarifa. Për rastet e tjera, kur pacientët që janë të siguruar shkojnë në spital pa rekomandim, do të aplikohen tarifat e reja të shërbimeve të miratuara së fundi nga Ministria e Shëndetësisë. Por tarifat e larta të vizitave mjekësore janë vetëm njëra anë e medaljes për personat e papërfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pasi nga ana tjetër ekziston edhe një penalizim më i rëndë për personat që nuk kanë derdhur kontribute shoqërore, të cilët humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit.
Pagesat
Aktualisht paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore është jo më pak se 16 120 lekë, ndërsa paga maksimale mujore, 80 600 lekë. Sipas përcaktimeve të bëra nga specialistët e sigurimeve shoqërore, shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit është 4 497 lekë. Kurse për të vetëpunësuarit, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, aktualisht është 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 128 lekë. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23%, sigurim shoqëror, dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh, të barabartë me 4 836 lekë në muaj. Këta persona llogarisin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së vet, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 16 120 lekësh, e barabartë me 4 836 lekë në muaj. Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare, shërbimi, apo ambulante, duhet të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 200 lekë. Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh. Të vetëpunësuarit në bujqësi, duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14 400 lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 9 360 lekë. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie është 1 200 lekë në muaj. Kontributi i detyrueshëm për aksidente dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte, që punojnë me material të porositësit është 0,3 për qind e pagës bruto minimale dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi.
Kontributet
Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore llogariten e paguhen jo vetëm për të përfituar pension pleqërie, por edhe për të qenë person i siguruar. Sipas Ligjit “Për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, detyrimin për të paguar kontribute nuk e kanë vetëm subjektet shtetërore, por edhe ato private, sikurse edhe personat e vetëpunësuar. Personat e vetëpunësuar ose subjektet private, që duan të bëjnë deklarimin dhe pagesën e kontributeve, duhet të dorëzojnë disa dokumente për derdhjen e lekëve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka përcaktuar dokumentet që duhet të paraqiten për deklarimin dhe pagesën e kontributeve. Konkretisht, dokumentet e nevojshme që duhet të paraqiten pranë zyrave të ISSH-së, për të kryer pagesën e kontributeve, sipas llojit të pensionit që përfitohet, janë si më poshtë. Kur kontributet paguhen për të përfituar pension pleqërie, të interesuarit duhet të dorëzojnë këto dokumente për të derdhur shumën e caktuar të lekëve: Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj një deklaratë personale për vitet e punës; Certifikatë lindjeje me fotografi; Certifikatë martese për kërkueset femra; Certifikatë e gjendjes familjare. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me një certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje; Librezë pune ose vërtetim arkivi; Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH-së; Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish-anëtarët e saj; Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë; Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak; Vërtetim për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë“. Kurse për të ardhurat personat duhet të dorëzojnë: Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim; Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit; Vërtetim toke nga Kadastra; Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç; Vërtetim komune për ndihmë ekonomike; Vërtetim nga Tatim-Taksat; Deklaratë.
Të vetëpunësuarit, shumat minimale mujore për kontributet shoqërore dhe shëndetësore
Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor, për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, aktualisht është 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 128 lekë;
I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23%, sigurim shoqëror, dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh, të barabartë me 4 836 lekë në muaj;
I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së vet, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 16 120 lekësh, e barabartë me 4 836 lekë në muaj;
Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare, shërbimi, apo ambulante, duhet të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1 200 lekë;
Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh;
Të vetëpunësuarit në bujqësi, duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14 400 lekë;
Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie është 1 200 lekë në muaj.
Skema e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit, është:
Degët e sigurimit % në lekë
Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.3 48
Dega e sigurimit të barrëlindjeve 1.4 226
Dega e sigurimit të pensioneve 21.6 3 482
Dega e sigurimit të aksidenteve
dhe sëmundjeve profesionale 0.3 48
Dega e sigurimit të papunësisë 0.9 145
Sigurimet shëndetësore 3.4 548
Afatet e deklarimit dhe pagesës së kontributeve
Personi fizik i regjistruar si tatimpagues i taksës vendore mbi biznesin e vogël:
Këtu përfshihen: kontributet e të vetëpunësuarit për vete; Kontributet për punonjësit e papaguar të familjes; Kontributet që mbahen nga paga e punëmarrësve; Kontributet e të vetëpunësuarit për punëmarrësit. Paguhen për çdo tremujor brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Jo më vonë se datat: 20 prill; 20 korrik; 20 tetor; 20 janar.
Personi i vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant
Kontributet e të vetëpunësuarit për vete paguhen për çdo tremujor brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Jo më vonë se datat: 20 prill; 20 korrik; 20 tetor; 20 janar.
Kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie
Kontributet për të punësuarit si punëtorë shtëpie paguhen për çdo tremujor brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Jo më vonë se datat: 20 prill; 20 korrik; 20 tetor; 20 janar.
16 Nentor 2009