E Shtunë, 31 Tetor 2026

Certifikatat, tarifa të reja për martesat dhe ndarjet

Vendimi u mor dje në mbledhjen e qeverisë. Është rritur procedura e mbajtjes së akteve të lidhjes së martesës, që nga 300 lekë bëhet 1000 lekë, si dhe ajo për veçim apo bashkim familjesh të shtetasve, nga 200 bëhet 1000 lekë. 

TIRANE- Certifikatat që do mbeten në fuqi tashmë do të kushtojnë më shtrenjtë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë miratuar taksat e reja për këtë dokument, të cilën qytetarët janë të detyruar ta marrin për të kryer veprime të ndryshme. Kështu, nëse më parë veprimet për ndarje dhe bashkime familjare të shtetasve kushtonin 200 lekë si dhe lëshimi i lejes për lidhje martese ishte 300 lekë, tashmë ato do të kushtojnë plot 1 mijë lekë. Rritje kanë pësuar edhe ato që do të përdoren në gjuhë të huaj.
Tarifat e reja
Certifikatat për përdorim brenda vendit nuk kanë pësuar rritje. Ato do të kushtojnë 50 lekë. Për lëshimin e dokumentit "Certifikatë për lidhje martese", në gjuhë të huaj, të interesuarit do të paguajnë 200 lekë. Po kaq do të paguajnë edhe ata që kërkojnë dokumentin "Certifikatë lindjeje", në gjuhë të huaj. Gjithashtu edhe për lëshimin e dokumentit "Certifikatë martese", në gjuhë të huaj, tarifa që do të paguajnë qytetarët do të jetë 200 lekë. Ndërsa për regjistrimin e shtetasve të huaj, pas dhënies së shtetësisë shqiptare ata do të paguajnë 2000 lekë të reja. Rritje ka pësuar edhe procedura e ndryshimit të emrit ose mbiemrit, e cila ka shkuar në 1000 lekë, ndërsa deri më tani ishte 700 lekë. Në projektligjin që është miratuar dje në mbledhjen e qeverisë ka pësuar rritje edhe procedura e mbajtjes së akteve të lidhjes së martesës, që nga 300 lekë është bërë 1000 lekë, si dhe ajo për veçim apo bashkim familjesh të shtetasve, e cila nga 200 lekë është bërë 1000 lekë". Vendimi i djeshëm detajon se për dekretet e nxjerra nga Presidenti i Republikës, për lënie të shtetësisë shqiptare, të pazbatuara deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk zbatohet taksa e pullës. Ndërkohë që ai përcakton se "Vendimi nr.550, datë 1.8.2003, i Këshillit të Ministrave, "Për tarifat e shërbimeve që kryhen nga shërbimi i gjendjes civile", të ndryshuar, dhe çdo dispozitë tjetër ligjore apo nënligjore, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen". Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
(s.g/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›