E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e dënon me 20 vite burg, ekzekutoi shokun e tij



Tiranë - Gjykata e Tiranës e ka dënuar dje me 20 vite burg Sami Dafkun. Ky i fundit u akuzua për vrasjen e shokut të tij, Artan Cala. Vendimi u dha dje nga kolegji penal që drejtohej nga gjyqtari Fehmi Petku. Ngjarja ka ndodhur muaj më parë në Bathore të Tiranës. Artan Cala kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Italia, ku jetonte prej kohësh me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Këta të fundit kishin qëndruar në Itali, ndërsa Cala do të kalonte vetëm disa ditë në shtëpinë e tij në Bathore të Tiranes, ndërsa më pas do të kthehej sërish ne Itali. Sipas burimeve të policisë, mes dy shokëve kishte nisur një sherr pak ditë më parë dhe mësohet se Sami Dafku ka shkuar në banesën e Calës i armatosur, duke evituar sqarimet mes tyre. Pas një debati, 37-vjeçari ka zbrazur një karikator automatiku në drejtim të emigrantit.

Aksidenti në “Unazën e Re”, arrestohet 28-vjeçari

Tiranë - Policia e Tiranës bëri të ditur dje se mori masën e arrestit ndaj shtetasit Bujar Muzhaqi, 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas burimeve zyrtare, mbrëmjen e kaluar në “Unazën e Re” pranë Hotel “Rolandi”, 28-vjeçari Muzhaqi duke drejtuar automjetin tip “Benz” furgon, ka aksidentuar me vdekje shtetasen Gjyle Fusha, 76 vjeçe, banuese në Tiranë. Me të marrë njoftimin, në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë shërbimet e policisë rrugore, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale arrestuan në kushtet e flagrancës drejtuesin e furgonit. Bëhet e ditur gjithashtu se, aktet procedurale në lidhje me këtë aksident rrugor i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Tiranë.

Policia: “Tre afganët kishin hyrë fshehurazi në kamion”

Tiranë - Zbardhet mënyra e hyrjes në Shqipëri e tre të rinjve afganë, të cilët u kapën të dielën të fshehur në një kamion në parkingun e doganës së Tiranës. Policia e Tiranës bëri të ditur dje se shtetasit Nekmama Magoul, Javet Tarahel, nga 18 vjeç dhe 14-vjeçari me inicialet A. S., me shtetësi afgane, janë gjetur të fshehur mbrëmjen e së dielës në një automjet me targa turke, me drejtues shtetasin turk Mustafa Cengiz, 46 vjeç, në parkingun e doganës së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare, nga hetimet rezultoi se shtetasit e mësipërm me 12 prill, kanë hyrë fshehurazi në kamion në një parking në Selanik të Greqisë në kohën që drejtuesi i mjetit po pushonte. Kamioni mësohet se ishte ngarkuar me lubrifikante për llogari të firmës “Topoil”, me qendër në Tiranë. Tre shtetasit me shtetësi afgane po procedohen nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›