Chalmers, ylli i ri i Miamit

Kur përmendet Miami Heat, të gjithëve u shkon mendja te treshja magjike ‘Big Three’, LeBron James, Dwyane Wade e Chris Bosh. Por, përpos kësaj tresheje, ka edhe diçka tjetër.
Ai është Mario Chalmers, i cili shkëlqeu në ndeshjen e tretë finale të play-offit ndaj Dallasit. Chalmers, 25 vjeç, shpesh i harruar në fillim të sezonit, kur lojën e fillonte Carlos Arroyo, i ka ndezur reflektorët në ndeshjet vendimtare.
“Është një gjuajtës i mirë. Për ne është një lojtar mjaft i rëndësishëm. Është agresiv, gjen hapësira në fushë dhe gjendet i lirë. Është një armë e fortë e jona”, shpjegon bashkëlojtari i tij, Chris Bosh.
Edhe trajneri Erik Spoelstra ka mendim pozitiv për Chalmersin. “Ka aftësi ta vendosë lojën në momente që çojnë peshë. Ai nuk dorëzohet kurrë, është i fortë”, tha trajneri i Miamit.