E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zbehen gjasat

Kombëtares shqiptare i janë zbehur gjasat për kualifikim në Euro 2012. Humbja nga Bosnja e Hercegovina 2:0 i zbret Kuqezinjtë në pozitën e parafundit në Grupin D. Ekipi i Josip Kuzes luajti mirë në pjesën e parë, por zhgënjeu plotësisht në atë të dytë. Boshnjakët shënuan dy herë në 25 minutat e fundit të ndeshjes me Medunjanin e Maletic. Nga Express më 07 qershor 2011 në ora 23:05

Kombëtarja shqiptare i është kthyer së kaluarës. Kuqezinjtë kanë zhgënjyer me lojë në ballafaqim me Bosnje e Hercegovinën në Zenica, duke i zbehur gjasat për kualifikim në Euro 2012. Ekipi i Josip Kuzes humbi 2:0, në një paraqitje dëshpëruese e cila duhet harruar sa më shpejtë.

Shqipëria luajti më mirë në pjesën e parë, ku ishte kundërshtar i barabartë me boshnjakët. Hamdi Salihi ka rrezikuar i pari në minutën e parë, kur mori një top nga Erjon Bogdani.

Në anën tjetër, vendësit mundoheshin të rrezikonin me Edin Dzekon, i cili u mbulua mirë nga dyshja Cana-Curri dhe me Misimovic, i cili pati një gjuajtje të mirë, por që u prit nga portieri i sigurt Samir Ujkani. Në pjesën e dytë, forcat në fushë patën pamje tjetër. Shqipëria u mbrojt vazhdimisht, ndërsa boshnjakët filluan të sulmonin më shumë dhe ta merrnin lojën në dorë.

Dominimi i mikpritësve solli fryt në minutën e 67-të kur Medunjanin mori një top nga mesfusha dhe hyri në zonë i papenguar nga askush, pasi mbrojtja shqiptare gjendej shumë përpara, për ta mposhtur portierin Ujkani. As pas pësimit të golit, ekipi shqiptar nuk diti të reagojë, me Hamdi Salihin e vetëm në sulm, pas largimit të Erjon Bogdanit pas 45 minutash lojë.

Madje, gjërat u përkeqësuan në minutat e fundit, kur zëvendësuesi Andi Lila e mori direkt kartonin e kuq, pas ndërhyrjes së ashpër ndaj Rahimic. Në minutën e fundit, boshnjakët e shfrytëzuan një gabim të Duros në mesfushë, për ta ndërtuar një kundërsulm të shpejtë, të cilin në gol e shndërroi mbrojtësi Darko Maletic.

Për Shqipërinë, kjo ishte njëra nga ndeshjet më të dobëta në fazën eliminatore për Euro 2012. Humbja në Zenica ua zbeh gjasat shqiptarëve për kualifikimin historik në një Evropian. Ata kanë rënë në pozitën e parafundit, me 8 pikë të tubuara. Kurse, për boshnjakët kjo fitore është shumë domethënëse, pasi që ua rrit gjasat atyre për kualifikim në kompeticionin që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni. Sfida e radhës për Shqipërinë do të jetë ajo ndaj Francës, më 2 shtator.

Grupi D

Rezultatet
Bjellorusia – Luksemburgu2:0
Bosnja e H. – Shqipëria2:0

Tabela
1. Franca13 pikë
2. Bjellorusia 12
3. Bosnja e H. 10
4. Rumania8
5. Shqipëria8
6. Luksemburgu 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›