Champions - perballen Dortmundi dhe Reali i Madridit

Një superndeshje zhvillohet sot në ish-stadiumin e famshëm “Vestfalenshtadion” të Dortmundit. Kampionia e Gjermanisë pret Realin e Madridit në spektaklin që fillon në orën 20:45 dhe dhjetëra mijë tifozë në “Signal Iduna Park” presin me padurim të ndjekin një ndeshje të rrallë.
Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klop, nuk tregohet emocional, por vlerëson kundërshtarin si dhe i bën një thirrje lojtarëve të tij.
“Mendoj se Reali është në gjendje shumë të mirë si ekip, edhe pse në Spanjë kanë një distancë jo të vogël me kreun. Duke parë ndeshjen e fundit, mendoj se ata janë edhe më të fortë sesa sezonin e kaluar, ndaj ne duhet të jemi gati. Duhet të luajmë me disiplinë të skajshme, siç bëmë në Mançester. Kur luan ndaj Realit, duhet të kesh patjetër kujdes disa lojtarë të veçantë. Ne e dimë se nëse luajmë në maksimum, jemi shumë të fortë”, u shpreh Klop.
Murinjo, si Murinjo, veçse me mjaft respekt për rivalin e sotëm. Pavarësisht madhështirë së Realit, Dortmundi është një kërcënim.
“Ne i analizojmë kundështarët tanë në mënyrë totale, globale dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Studiojmë dinamikën, stilin e lojës, pikat e forta. Nuk përdor shprehjen “pika të dobëta”, pasi Dortmundi është një ekip shumë i mirë, por ndonjë dobësi edhe e ka dhe ne duhet ta shfrytëzojmë. Nuk dua të flas për lojtarë të veçantë, por Dortmundi ka mjaft lojtarë të mirë që ne duhet t’i respektojmë. Nuk besoj se do të kemi probleme motivimi”, deklaroi Murinjo.
Natyrisht, sonte ka edhe 7 përballje Championsi, por kjo ndeshje mes dy skuadrave të mëdha dhe spektakolare ka shije tërësisht të veçantë. Ja vlen ta veçosh nga të tjerat.