E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakli i Championsit

Ikën e kaluan mrekullia e Barcelonës, përmbysja e madhe e Mançester Junajtid dhe shkëlqimi i Roberto Soldados për Valencian në Bjellorusi.
Championsi ka edhe më. Mbrëmjen e sotme luhen 8 ndeshje të tjera që premtojnë spektakël dhe që e kanë zakon ta mbajnë fjalën, pra të jenë të bukura.
Është Milani, emri gjigand që rrezikon më shumë, pavarësisht fitores së arritur në Rusi në ndeshjen e shkuar. Shtatë herë kampionët e Europës do të luajnë në fushën e Malagës, skuadrës spanjolle shumë në formë dhe që drejtohet nga një trajner shumë i zoti si Maurisio Pelegrino.
Me disa mungesa dhe shumë lëkundje, Milanit i duhet të arrijë një rezultat, edhe pse 4 pikë i ka nga dy përballjet e para. 
Në Londër, në grupin B, zhvillohet një ndeshje e futbollit të bukur, ajo mes Arsenalit dhe Shalkes gjermane. Vendasit janë më pranë suksesit, edhe pse favoritë nuk ka dhe Shalke është me moral të lartë pas fitores së derbit ndaj Dortmundit në Bundesligë. Në këtë grup luajnë edhe Monpeljeja franceze ndaj Olimpiakosit grek.
Në grupin D, ku bën pjesë supersfida Dortmund-Real Madrid, kemi edhe një tjetër ndeshje-shampanjë. Mançester Siti shkon në Holandë, në fushën e Ajaksit, që mund të mos e ketë shkëlqimin e dikurshëm, por që mbetet një emër i madh, 4 herë kampion i Europës. Historia dhe miliardat e të tashmes do të jenë përballë në “Amsterdam Arena”.
Në grupin A bën pjesë Paris SG, skuadra gjithashtu e milionave që do të luajë në Zagreb ndaj Dinamos vendase dhe do të jetë favorite për të arritur suksesin.
Ndërkaq, në “Dragao”, Porto pret Dinamon e Kievit, një përballje që duket e rrezikshme, por në të cilën skuadra ukrainase vjen tepër e goditur nga forma e dobët në kampionatin e vendit të saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›