Bolt shkon ne Rio

Ai e ka bërë më në fund vizitën e tij të parë në Rio. Atje lart në kodër, Usain Bolt ka pasur rast të vizitojë statujën e famshme të Jezu Krishtit dhe t’i hedhë një sy nga lart qytetit të madh e të rrëmujshëm brazilian.
Ka më shumë se një arsye që kampioni i madh olimpik i sprintit shkon në Rio de Zhaneiro. Shkon sepse aty do të zhvillohen lojrat e ardhshme olimpike, shkon edhe sepse një legjendë duhet të jetë kudo pranë tifozëve të tij, por shkon edhe për të përuruar një kompleks sportiv.
Një helikopter e zbret në kompleksin e ri dhe nën shoqërinë e kryebashkiakut të qytetit, Eduardo Paesh, lumturohet nga mikpritja e qindra fëmijëve të shkollave, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe sportistët e së ardhmes.
Besohet se Bolti 26-vjeçar do të synojë të mbrojë 3 titujt e tij olimpikë edhe pas 4 vjetësh në Lojrat Olimpike në Rio, madje edhe t’i shtojë ndonjë disiplinë të re, pasi bëhet fjalë për kërcimin së gjati, veçse ai hedh ndonjë hije dyshimi.
“Gjithçka varet sesi do të menaxhoj veten time këta 4 vjet, - u shpreh kampioni, - do të punoj fort, do ta shtyj trupin tim përtej limiteve dhe kur të vijë koha do të vendos”.
Usain Bolt është kampion olimpik dhe rekordmen botëror në 100, 200 dhe 4x100 metra. Në këtë garë të fundit, ai është fitues në radhët e stafetës së Xhamajkës.