Futbolli me drita te kuqe

Në njërën anë kemi nevojën njerëzore për mbijetesë dhe në tjetrën profesionin që quhet si më i vjetri në botë. Në rrezik e në nevojë ç’nuk mund të na shohin sytë e të na dëgjojnë veshët dhe normat që quhen të shenjta e të paprekshme lihen mënjanë.
Dy klubet të futbollit amator në Greqi, kanë gjetur sponsorizime nga biznese me dita të kuqe, pra nga shtëpi publike. Njëri nga klubet është Vuqefalas i Larisës dhe në bluzat që veshin lojtarët janë stampuar emrat e sponsorëve që janë “Shtëpia e Sulas” dhe “Vila Erotike”.
Presidenti i klubit, Janis Baciolas, thekson se në këto kohë krize nuk kishte zgjidhje tjetër. “Këtë vit gjërat kanë shkuar edhe më keq dhe si në gjithë Greqinë, kriza ka goditur edhe futbollin amator, - thotë ai, - unë e mbaja ekipin me paratë e biznesit tim, por tani nuk mundem më. Ndaj, bashkë me menaxherët e tjerë gjetëm këtë zgjidhje dhe ne mund të marrim pjesë në kampionat”.
Sulmuesi Vangjelis Harulis e quan këtë si diçka pozitive. “Ky sponsorizim na ka rritur moralin, - thotë ai, - jemi të emocionuar, në fakt bëjmë edhe humor, por është një iniciativë shumë e mirë, pavarësisht nga profesioni i zonjës Sula”.
Presidenti Baciolas thotë edhe disa klauzola interesante që përmban kontrata e sponsorizimit. Sipas tij, tifozët nxitojnë të blejnë abonime vjetore që të marrin shërbim falas në shtëpinë publike të zonjës Sula.
Po ashtu, edhe lojtarët do të kenë trajtime speciale pas çdo fitoreje.
Vetë zonja Krisula Alevridu thotë se ajo është shumë e ndjeshme ndaj sportit. “Të gjithë këtë unë e bëj nga dashuria për këta djem, për sportin, kulturën dhe vendin tim, - thotë ajo, - nëse askush nuk i jep para, a duhet t’ua japë dikush? E ç’punë prish nëse është shtëpi publike?”
Vukefalas është emri i kalit të Aleksandrit të Madh, por kriza nuk pyet as për emrat e historisë. Ashtu si ky klub, një bashkëpunim të tillë ka edhe Iraklis FC, një nga më të vjetrit në Greqi.
Kështu, pra, i vjen një ndihmë futbollit. Pastaj, pak rëndësi ka nëse ky bamirës është apo nuk është profesioni më i vjetër në botë.