E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions Barça

Barcelona shfaqi një paraqitje madhështore për të mposhtur Manchester Unitedin 3-1 në finalen e Ligës së Kampionëve në Wembley. Treshja sulmuese Pedro, Lionel Messi dhe David Villa realizuan golat për gjigantin katalon, duke i siguruar klubit titullin e katërt të kampionit të Evropës. Nga Express më 28 maj 2011 në ora 22:59

Barcelona është kampione e Evropës pas shfaqjes së një paraqitjeje magjike për të mposhtur Manchester Unitedin 3-1 në Wembley në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën.

Lionel Messi ishte inspirues për gjigantin katalon që dominoi me lojën e tij të pasimeve të sakta dhe lëvizjeve të shpejta.

Edhe pse Djajtë e Kuq arritën t’i ndalin me disa ndërhyrje vendimtare në çerekun e fundit të fushës, ata kapitulluan në minutën e 27-të, kur Xavi në mënyrë mjeshtërore shërbeu për Pedron, i cili me qetësi mposhti portierin Edwin van der Sar.

Mirëpo, Manchester United tregoi pse ka zhvilluar tri finale në katër sezonet e fundit duke shënuar golin e barazimit pas 34 minutave.

Rooney luajti një-dy me mesfushorin Michael Carrick, e më pas një tjetër me Ryan Giggsin para se ta dërgojë topin në rrjetë.

Messi ishte shumë pranë golit të dytë të Barcelonës pas një tjetër kombinimi të shpejtë me Villan, por mbrojtja e Manchester Unitedit disi arriti të mbajë rezultatin e barabartë në pjesën e parë.

Barazimi në tabelën e rezultatit zgjati shkurt pasi Barcelona pothuajse menjëherë rimori kontrollin dhe pas disa dështimeve fillestare, kaluan sërish në epërsi pas 54 minutave.

Mbrojtësit e Manchester Unitedit gabuan rëndë duke qëndruar në huti dhe vetëm përcollën Messin, i cili nga vija e zonës shfrytëzoi përparësinë e topit në lëvizje dhe e dërgoi atë në rrjetë për shënimin e tij të 53-të dhe më të rëndësishmin këtë sezon.

Ky ishte goli i tij i 12-të gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve dhe me këtë Messi barazoi rekordin që mbante sulmuesi holandez, Ruud van Nistelrooy (si futbollist i Manchester Unitedit gjatë sezonit 2002-2003) .

Ky gol konfirmoi dominimin e Barcelonës ndaj ekipit të cilin e kishin mposhtur edhe në finalen e vitit 2009. Ishte Messi ai që përgatiti edhe golin e tretë kur u nis drejt zonës dhe pas një reagimi të dobëta të repartit defansiv të Manchester Unitedit, topi përfundoi te Villa, i cili në mënyrë të jashtëzakonshme e dërgoi atë në këndin e epërm të portës.

Barcelona fitoi titullin e saj të katërt në Ligën e Kampionëve. Pavarësisht inkuadrimit të kapitenit Carles Puyol në minutat e fundit të takimit, Barcelona vendosi që mbrojtësi Eric Abidal të ngre trofeun.

Francezi muaj më parë ishte rikuperuar nga operacioni i vështirë i tumorit në mëlçi dhe shënoi një rikthim sensacional duke u paraqitur në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Real Madridit.

Ndeshja finale zgjoi vëmendje të madhe në opinionin sportdashës. Deri në 300 milionë njerëz në mbarë botën pritej që të përcjellin takimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›