E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i finales

Finalja do të vlejë 369 milionë euro. Kjo është shifra e plotë e parave që do të gjenerohen nga ndeshja mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid në stadiumin “Ëembley” të Londrës. Nuk bëhet fjalë për ato para që UEFA do t’u ndajë finalistëve, por bëhet fjalë për shifrën e plotë, për çdo cent që të grumbullohet nëpër xhepa në të gjitha anët e botës.

Secili nga klubet ka për të fituar shumë, plot 126 milionë do të jenë sasia e plotë që do të shkojë për fituesin e finales së madhe të Ligës së Kampionëve, ndërsa humbësi do të ketë sërish shumë, 74 milionë euro. Kjo është shumë më tepër sesa 10 milionë që do të japë UEFA për fituesin dhe 6 milionë për humbësin.

Vetë qyteti i Londrës do të ketë një fitim të rëndësishëm, plot 52 milionë euro, që do të dalin nga biznesi që do të bëjnë dy palët e tifozerive në këtë metropol të madh, por edhe nga çdo lloj aktiviteti tjetër.

Shifra është e madhe, por mund të kishte qenë edhe më shumë. Kjo sepse, sipas një studimi të bërë nga “MasterCard”, në finale doli Mançester Junajtid, një skuadër angleze, dhe jo një skuadër tjetër nga kontinenti i Europës. Tifozët që vijnë nga Mançesteri do të sjellin më pak të ardhura në krahasim me ato që do të sillnin tifozë të ardhur nga Mynihu apo Madridi.

Edhe tendenca e rritjes nuk është aq e madhe sa e vitit të kaluar, pasi Interi fitoi 9 për qind më shumë sesa Barcelona e vitit 2009, kurse fituesi i këtij viti pritet të fitojë vetëm 5 për qind më shumë sesa Interi. Edhe Bajerni vjet fitoi 7.7 për qind më shumë sesa Junajtid, humbësi i vitit 2009, ndërsa pritet që humbësi i kësaj finaleje të fitojë 4.3 për qind më shumë sesa bavarezët.

Gjithsesi nuk ka alarm, pasi kjo ulje e tendencës vjen vetëm sepse në Londër një nga finalistet është skuadër angleze, pra Mançester Junajtid.

Ajo që vlen të theksohet është që finalja e Champions-it është kthyer në një biznes të madh dhe në rritje nga viti në vit. Në Moskë, më 2008, finalja gjeneroi 250 milionë euro fitime gjithsej, më 2009 në Romë shifra u ngjit në 310 milionë, në Madrid më 2010 shkoi deri në 351.5 milionë, ndërsa kjo e Londrës, pra, do të jetë plot 369 milionë euro. Ndoshta vitin e ardhshëm arrihet në 400 milionë.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›