E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’dorëzohet Prishtina

Trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi ende beson në titull, edhe pse i ka katër pikë më pak se skuadra e Hysit, tri xhiro pa përfunduar kampionati. Ai konteston liderin e Superligës, derisa beson se vendi i parë do të duhej t’u takonte bardhekaltërve. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 28 maj 2011 në ora 13:00

Prishtinës iu kanë zbehur shumë gjasat për ta fituar titullin e kampionit, pas disfatës që e pësoi të enjten në Mitrovicë, nga Trepça (1:0) dhe fitores të cilën e shënoi lideri i Superligës, Hysi në Prizren ndaj Lirisë (2:3).

Në këtë mënyrë, tri xhiro pa përfunduar kampionati, bardhezinjtë shtuan avantazhin në katër pikë dallim prej bardhekaltërve. Në ndeshjet e mbetura, Prishtina e pret në shtëpi Lirinë, pastaj udhëton drejt Pejës për t’u takuar me Besën dhe në javën e fundit do të jetë nikoqir i liderit, Hysit.

Kurse, ekipi nga Merdari dy ndeshjet e radhës do t’i zhvillojë para tifozëve të vet ndaj Besës dhe Trepçës ’89, derisa kampionatin e përmbyll në kryeqytet –në duel me Prishtinën.

Kjo e fundit mbetet me shpresë që Hysi të gabojë në dy ndeshjet e radhës në Merdar, në mënyrë që titulli i kampionit të përcaktohet në derbin mes tyre.

“Jo, nuk jemi dorëzuar. Janë edhe tri xhiro. Të tria këto ndeshje do t’i zhvillojmë me përkushtim të madh. Pra, kampionatin do ta përfundojmë ashtu siç e kemi filluar. Të tria ndeshjet e mbetura do t’i luajmë siç kemi luajtur nga fillimi i kampionatit, pra me nder dhe pa kalkulime”, deklaroi trajneri i kryeqytetasve, Ramiz Krasniqi.

Prishtina gjatë pjesës më të madhe të kampionatit ishte lideri i tabelës, të cilën pozitë tashmë ua ka rrëmbyer Hysi. Por, Krasniqi e konteston këtë arritje të ekipit nga Merdari.

“Prishtina e ka merituar pozitën e parë të tabelës. Duhet kujtuar se asnjë pikë të vetme nuk e kemi fituar pa meritë, pa angazhim dhe pa u djersitur shumë. Asnjëherë nuk kemi hyrë në ndonjë ndeshje për të fituar me çdo kusht, pavarësisht mënyrave. Kemi luajtur me ndershmëri dhe mburrem me atë që e kemi bërë”, theksoi Krasniqi.

Ai pohoi se renditja aktuale e ekipeve në tabelë nuk është reale dhe për këtë e fajësoi edhe sistemin e garave, për të cilin tha se duhet ndryshuar urgjentisht nga edicioni i ardhshëm. Sipas Krasniqit, sistemi aktual i galave jep hapësirë të madhe për kalkulime.

Hysi, lider me meritë

Në anën tjetër, trajneri i Hysit, Fadil Ademi thotë se skuadra e tij me plot meritë gjendet në vendin e parë të tabelës me katër pikë më shumë se Prishtina. Madje, Ademi pohon se Superliga e Kosovës duhet të mburret me faktin që e ka një skuadër siç është ajo nga Merdari.

“Hysi me plot meritë gjendet në vendin e parë të tabelës. Në çdo aspekt, Hysi është skuadra më e mirë në këtë stinor. Lojtarët janë shumë cilësorë dhe falë angazhimit tejet të madh të tyre, kemi mbërritur këtu. Është mëkat që disa njerëz me deklarata të pabaza përpiqen ta minimizojnë suksesin e lojtarëve të mi. Superliga duhet të krenohet që e ka Hysin”, tha Ademi për Express.

Ademi: Ferati nuk po e ndihmon Hysin

Gjyqtari Muhedin Ferati disa herë është quajtur nga trajnerë të disa klubeve të tjera si ‘referi i Hysit’. Kështu tha edhe trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali, pas humbjes që ekipi i tij e pësoi të enjten nga Bardhezinjtë. Por, Ademi thotë se Ferati nuk është i Hysit.

“Ferati është i Superligës, e jo i Hysit. E përgëzoj për mënyrën perfekte që referoi në Prizren. Ferati në asnjë ndeshje që na ka referuar, asnjë vendim nuk e ka marrë në favor tonin pa qenë i atillë. Andaj, duhet të gjithë të jenë të ndërgjegjshëm dhe mos të përpiqen të na e zbehin suksesin e merituar”, pohoi ai.

Ai thotë se lufta për titull mes ekipit të tij dhe Prishtinës ende nuk ka përfunduar. Por beson se djelmoshat e tij do t’ia dalin ta ruajnë pozitën e parë deri në fund.

Aktualisht, Hysi mban pozitën e parë me 66 pikë, kurse Prishtina është e dyta në tabelë me 62 pikë, tri xhiro pa përfunduar kampionati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›