Përplasja e kampionëve
Barcelona dhe Manchester United mund të kishin thënë se janë dy ekipet më të mira në kontinent, edhe para fillimit të këtij sezoni meqë kishin zhvilluar nga dy finale në pesë vitet e fundit.
Ata këtë edicion kanë konfirmuar prezencën e tyre në krye të futbollit evropian, pas dominimit në ligat e tyre shtetërore dhe kalimit në finale të Ligës së Kampionëve. Ekipi i Sir Alex Fergusonit fitoi titullin e 19-të rekord në Premierligë, ndërsa Barcelona mblodhi 96 pikë në triumfin e tyre në La Liga.
Por, edhe pse deri më tani të dyja ekipet kanë arritur sukses, është rezultati i finales në Londër, të shtunën, që do të përcaktojë kujtimet e sezonit 2010/11 për secilin grup të tifozëve.
Barcelona fillon si favorit jo vetëm për shkak ët rezultateve të tyre të shkëlqyeshme, por edhe për përmbajtjen e yjeve si Messi, Andres Iniesta dhe Xavi, të cilët ishin në garë për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në botë që në fund i takoi argjentinasit.
Këta të tre mund të kombinojnë për rezultat ‘vdekjeprurës’ dhe janë ata që e bëjnë Barcelonën të konsiderohet si njëri prej ekipeve më të mira në histori. E njëjta nuk është thënë për Manchester Unitedin që është kritikuar se i mungojnë yjet nga gjeneratat e kaluara.
Mirëpo, skuadra është mbrojtur nga kritikat nga të gjithë në Old Trafford. Edhe pse nuk kanë stil të njëjtë me Barcelonën, Djajtë e Kuq kanë treguar aftësi për të tejkaluar çdo pengesë që u del përpara.
Manchester United ka gjetur formulën e mbrojtjes së sigurt, shpejtësisë dhe intensitetit në mesfushë dhe efikasitetit në sulm me dyshen Wayne Rooney dhe Javier Hernandez. Te Barcelona, Messi mbetet kërcënimi kryesor.
“Jemi takuar me Barcelonën tri herë me Messin në ekipin e tyre. Ka zgjidhje për çdo futbollist të mirë”, tha menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson. Gjiganti anglez nuk arriti të dalë fitues nga përballja me Barcelonën në finalen 2009, kur katalonët fituan 2-0, por do të shpresojnë të kompletojnë hakmarrjen.
Spektatorët në mbarë botën do të shpresojnë të shohin një ndeshje ofensive në vend të përmbajtjes dhe kujdesit të tepërt, ndërsa detyra e ndarjes së drejtësisë është e gjyqtarit hungarez, Viktor Kassai.
“Shkalla e ekipeve është shumë e përafërt. Jemi dy skuadra shumë efektive, shumë të forta që lehtë mund të rreshtohen në katër ose pesë mënyra, secila prej tyre e rrezikshme”, tha trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola.
Man Utd, ‘vendas’ në Wembley
Paraqitja në Londër nuk është gjithmonë e lehtë për Manchester Unitedin, që njësoj si Barcelona u mposht nga Arsenali herën e fundit, kur luajtën në kryeqytet. Por, Djajtë e Kuq do të shpresojnë se finalja e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës në Wembley të shtunën do të shërbejë si përparësi e terrenit vendas.
Kjo do të jetë hera e 11-të që një finale e ligës elite të futbollit evropian përfshin një skuadër që luan në shtetin e tij – dhe shtatë herë ekipi ‘vendas’ ka triumfuar. Fitoret përfshijnë triumfin e Manchester Unitedit kur mposhtën Benfican 4-1, pas lojës shtesë në Wembleyn e vjetër më 1968.
Të tjerët që kanë fituar në shtëpi janë Real Madrid (1957), AC Milan (1965), Ajax (1972), Liverpool (1978), Juventus (1996) dhe Borussia Dortmund (1997). Stade de Reims (1956), Roma (1984) dhe Barcelona (1986) u mposhtën në finale në shtetin e tyre.
A e keni ditur se ...
1. Kjo është përballja e katërt e tyre në Ligën e Kampionëve. Barcelona dhe Manchester United janë takuar në fazën e grupeve më 1994/95 dhe 1998/99. Në gjysmëfinale 2008, Djajtë e Kuq fituan ndërsa Barcelona u hakmor në finalen e Romës, një vit më vonë, 2-0.
2. Prej kur gara ka filluar të quhet si Liga e Kampionëve (1992/93), Barcelona dhe Manchester United kanë shënuar dhe pranuar numër të njëjtë të golave (303 dhe 158).
3. Prej nëntë ndeshjeve që Manchester United ka zhvilluar në Wembley (të gjitha në garat shtetërore), pesë janë vendosur me penallti.
4. Vizita e fundit zyrtare e Barcelonës në vendin ku fituan Kupën e tyre të parë evropiane ishte në fazën e grupeve të sezonit 1999/2000. Ata mposhtën Arsenalin 4-2.
5. Barcelona ka luajtur në Wembleyn e ri. Ishte kjo në dy ndeshje përgatitore më 2009/10, kundër Tottenhamit dhe Al Ahly.
6. Barcelona ka shënuar më së shumti gola në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, 27, ndërsa Manchester United ka pranuar më së paku gola, 4.
7. Ekipi i Sir Alex Fergusonit ka ekzekutuar më së tepërmi goditje nga këndi (76).
8. Këto janë dy ekipet me përqindjen më të lartë të posedimit në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Barcelona ka 62 %, ndërsa Manchester United 58 %.
9. Poertieri i Manchester Unitedit, Edwin va nder Sar do të pensionohet nga futbolli pas finales. Në moshën 40 vjeç ai ka fituar dy medalje të Ligës së Kampionëve (1995 dhe 2009).
10. Manchester United është në seri prej 12 ndeshjeve, pa humbje.
11. Falë 11 golave të tij, Lionel Messi do të jetë golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve për sezonin e tretë me radhë. Vetëm Gerd Muller dhe Jean Pierre Papin kanë bërë të njëjtën gjë.
12. Messi është vetëm një gol larg rekordit të të gjitha kohërave nën formatin aktual. Ruud van Nistelrooy shënoi 12 gola më 2003.
13. Messi ka bërë më së tepërmi goditje në drejtim të portës gjatë kësaj gare (31), dhe është futbollisti i cili ka pësuar më së tepërmi ndërhyrje të palejueshme (30).
Formacionet e mundshme:
Man Utd: Edwin van der Sar; Fabio, Rio Ferdinand, Nemanja Vidiq, Patrice Evra; Antonio Valencia, Michael Carrick, Ryan Giggs, Park Ji-Sung; Wayne Rooney, Javier Hernandez
Barcelona: Victor Valdes; Daniel Alves, Gerard Pique, Carles Puyol, Eric Abidal; Sergio Busquets, Xavi Hernandez, Andres Iniesta; Pedro Rodriguez, Lionel Messi, David Villa