E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana në Lazio, pritet zyrtarizimi

Nga Express më 28 maj 2011 në ora 12:00

Sipas të gjitha gjasave, Lorik Cana në edicionin e ardhshëm do të aktivizohet në Serie A të Italisë. Kështu të paktën kanë raportuar të premten mediat turke, sipas të cilave, më në fund drejtuesit e Lazios i kanë bindur ata të Galatasarayt që ta lirojnë mesfushorin kosovar.

Mediat nga Turqia kanë raportuar se transferimi i Canës në Lazio është punë e kryer dhe mungon vetëm edhe zyrtarizmi i kësaj lëvizjeje. Gjithnjë sipas këtyre medieve, italianët dhe turqit kanë arritur marrëveshje për huazimin e reprezentuesit shqiptar në klubin romak, për dy milionë euro, me mundësi të blerjes së tij për 3.5 apo 4 milionë euro.

Thuhet se 27-vjeçari do t’i përfitojë 1.7 milion euro në sezon te Lazio, që i bie rreth 800 mijë euro më pak sesa që i përfitonte në Stamboll te Galatasaray, i cili klub sivjet e pati sezonin më të keq në histori.

Tash e një kohë të gjatë, mediat italiane dhe ato turke raportonin se objektivi kryesor i Lazios në afatin kalimtar të verës është përforcimi me Lorik Canën. Drejtori sportiv i romakëve, Igli Tare ishte shumë këmbëngulës për ta transferuar në ekipin e tij, bashkëkombësin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›