E Diel, 1 Nëntor 2026

Champions, Barcelona-Arsenalspektakli zbret në “Kamp Nou”

SPANJE- Pa Pujol dhe Pike, por me një repart ofensiv të frikshëm, Barcelona do të kërkojë sot në mbrëmje të përmbysë humbjen 2-1 të pësuar në Londër përballë Arsenalit. Në “Kamp Nou” do të luajnë dy skuadrat që bëjnë futbollin më të bukur në Evropë aktualisht, me katalanasit, që pavarësisht disfatës në ndeshjen e parë mbeten superfavoritë për të kaluar më tej. Trajneri Pep Guardiola u druhet shumë trukeve të trajnerit Arsen Venger, por edhe shpejtësisë së futbollistëve si Samir Nasri dhe Andrei Arshavin. “Kam dëgjuar shpesh për brishtësinë e futbollistëve të Arsenalit, por nuk jam dakord me këtë, pasi ata aktualisht janë në majë të Premier Ligës dhe po luftojnë për titull me Mançesterin. Këtë vit ishin në finale të Kupës së Ligës, ndërsa çdo vit arrijnë të kualifikohen deri në çerekfinale apo gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve”, deklaroi Guardiola. Në lidhje me Venger, që gjatë ditëve të fundit ka folur për dëmtime të lojtarëve si Van Persi, Nasri apo Fabregas, Guardiola u përgjigj se nuk u beson këtyre trukeve. “E respektoj shumë zotin Venger, por po them se edhe në sezonin e kaluar ata deklaruan se kishin futbollistë të dëmtuar dhe ne i pamë ata në fushë. Këtë vit ata thonë se Van Persi nuk do të luajë, atëherë i bie që ai ka ardhur këtu për turizëm”, u shpreh trajneri i Barçës. Katalanasit do të zbresin në fushë me një dyshe të improvizuar në qendër të mbrojtjes, si Buskets e Abidal, por gjithsesi, emra si Ksavi, Iniesta, Mesi, Pedro e Vija, do të jenë të gjithë në fushë.
Në krahun tjetër, trajneri Arsen Venger deklaroi se me shumë mundësi Van Persi do të mungojë. “Nuk është dëmtim i sajuar, por gjithsesi do të vendosim para ndeshjes. Unë do të preferoja që ai të luante, por nuk mund t’ju jap një përgjigje”, deklaroi Venger. Ndërkohë, Arsenali do të ketë të gatshëm Xhek Uilsher, ndërsa dy mungesat e sigurta janë ato të Teo Uolkot dhe Aleks Song.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›