E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions League, Dinamo kërkon fitoren në Moldavi

Trajneri Blanko: Kundër Sherifit luajmë për rezultat

Dinamo ka “zbarkuar” në Moldavi me objektivin që të arrijë rezultat pozitiv, prej sfidës së parë me Sherif Tiraspol. Ndeshja e vlefshme për turin e dytë eliminator të Champions League do të luhet sot në orën 19.00 (me orën shqiptare), në stadiumin “Sports Complex Sheriff”. Blutë janë nisur dje paradite nga aeroporti “Nënë Tereza”, ndërsa në mesditë mbërritën në Tiraspol. Gjatë mbrëmjes, në përshtatje me orarin e ndeshjes ata zhvilluan stërvitjen e fundit përpara përballjes me kampionët moldavë.

Edhe pse kampionët e Kategorisë Superiore nuk cilësohen si të favorizuar për ndeshjen e parë ndërkombëtare, trajneri argjentinas Luis Manuel Blanko është shfaqur optimist. Drejtuesi i stolit blu ka deklaruar se skuadra që drejton do të hyjë në fushë për të marrë rezultat pozitiv, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ishte më e lehtë të realizohej objektivi: kualifikimi në turin tjetër. “Ne do të bëjmë lojën tonë. Në asnjë ndeshje, pavarësisht nëse luan në fushë kundërshtare nuk mund të hysh në fushë me qëllimin për të mbrojtur, pasi në këtë mënyrë rrezikon të humbasësh”, deklaroi tekniku argjentinas. “Natyrisht që synojmë të kthehemi në shtëpi me një rezultat pozitiv. Ky është objektivi ynë, sepse rezultati pozitiv ta lehtëson punën për ndeshjen e kthimit në Tiranë, ku kemi avantazhin e fushës. Fitorja që në ndeshjen e parë do të ishte ideale, gjithsesi ne do të mundohemi të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë gol”. Optimizmi i Blankos, i cili ka vetëm pak javë që punon me Dinamon nuk duket i justifikuar kur vëzhgon historinë e viteve të fundit të Sherif Tiraspol. Ata marrin pjesë rregullisht në eliminatoret e Champions-it që prej sezonit 2001-’02, pasi në dhjetë vitet e fundit kanë fituar titullin kampionë në Moldavi. Skuadra e drejtuar nga trajneri bjellorus, Andrei Sasnitski, ka një kontingjent multietnik (përveç lojtarëve moldavë, aty militojnë elementë brazilianë, rusë, ukrainas, gjeorgjianë, serbë e afrikanë), ndërsa në vitet e fundit ka qenë mjaft e suksesshme në arenën ndërkombëtare. Në edicionin e fundit, Sherifi kaloi në turin e dytë finlandezët e Inter Turku, më pas ata eliminuan çekët e Sllavias së Pragës, ndërkohë që ëndrra u ndërpre në fazën “play-off”, kur u eliminuan nga gjigantët grekë të Olimpiakosit (skuadra nga Pireu do të luajë të enjten kundër Besës, në turin e dytë eliminator të Europa League).

Dinamo kërkon të kalojë një tur në Champions League pas tetë vitesh. Për herë të fundit ata janë kualifikuar në aktivitetin më prestigjioz për klube në edicionin 2002-’03, kur të drejtuar nga trajneri Faruk Sejdini blutë eliminuan Kaunasin e Lituanisë, ndërsa më pas u dorëzuan përballë danezëve të Brondbit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›