Valixhja e rëndë e kujtimeve nga Afrika
Prozhektorët e Afrikës së Jugut u fikën, por Nelson Mandela mbetet fituesi i vetëm i Botërorit 2010. Në të vërtetë, evenimenti në “kontinentin e zi” i dhuroi shumë të gjithëve, ishte një aktivitet socio-politik, i cili tërhoqi vëmendjen te një popull që vuan prej shekujsh, që përjetoi aparteidin, por që mësoi të ringrihej falë sportit. Në memorien e të gjithëve do të mbetet ai burrë i plakur nga jeta dhe vuajtjet, i veshur me një xhaketë të zezë dhe i buzëqeshur. Mandela është një pjesë e historisë, por mbi të gjitha një njeri. Në finalen e Johanesburgut përshëndeste me dorë: nuk ishte lamtumirë, por mirupafshim.
Ky edicion i botërorit u karakterizua edhe nga topi. Lodra që të gjithë e kanë pasur kur ishin fëmijë, por që tashmë ka evoluar dhe quhet “Jabulani”. Natyrisht që turneu në Afrikën e Jugut do të mbahet mend edhe për oktapodin. Nga akuariumi i Oberhauzenit në Gjermani, ai tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës me parashikimet e fitueseve të ndeshjeve. I gjeti të gjitha.
Nga Kupa e Botës 2010 do të mbahen mend Maradona me tespihet e tij, lukun e ri me kostum dhe kravatë, puthjet e panumërta që u dha lojtarëve të Argjentinës, por edhe boshllëku taktik i skuadrës që për një moment besoi se mund të bënte mrekullinë. Një muzikë që dëgjohet kudo: është “Waka waka” e Shakirës, që e shndërron Afrikën e Jugut në një disko gjigante për një muaj. Por, me tingujt e këngës zyrtare të aktivitetit, ndërthuren zhurmat e vuvuzelave. Fillimisht të padurueshme për veshët e pamësuar, por shumë shpejt fama e tyre bën xhiron e botës, duke rrezikuar që t’i shndërrojë në një “instrument” që tifozët do ta kenë në mjaft sporte.
Nuk ishte një gol fantazmë: edhe një i verbër do arrinte ta shikonte që sfera kishte kaluar me gjysmë metri vijën e portës: bëhet fjalë për rrjetën e paakorduar të Frenk Lampard. Por, futbolli, ashtu si edhe jeta, nuk është një shkencë ekzakte. Zhgënjeu, edhe pse ishte favorite, megjithatë Anglia e Kapelos mund të ngushëllohet me faktin se u paraqit më mirë se Italia apo Franca. Dy finalistet e edicionit të kaluar nuk arritën të kalonin as fazën e grupeve. “Axurrët” u shfaqën të plakur, pa ide dhe pa dëshirë, ndërsa te “gjelat” plasi lufta ndërmjet futbollistëve dhe trajnerit Domenek. Në fund, nga golat fantazmë nuk ka si të mos spostohesh te fantazmat e golave: Mesi, Runi, Kristiano Ronaldo. Pritej që ky të ishte botërori i tyre, por të tre yjet e repartit ofensiv ishin shumë të lodhur për t’u paraqitur në nivelet më të larta dhe për të tërhequr Argjentinën, Anglinë dhe Portugalinë.
#