E Diel, 1 Nëntor 2026

Sosnitski: Dinamo e dobët në mbrojtje, shanset 50 me 50

Kundërshtari Trajneri i Sherif Tiraspolit thekson se do të sulmojë për të fituar

Sherif Tiraspol është i përqendruar te ndeshja e sotme ndaj Dinamos së Shqipërisë. Një gjë e tillë ra në pah edhe në konferencën e djeshme për shtyp të trajnerit të skuadrës moldave, Andreu Sosnitski. “Si skuadra ashtu edhe i gjithë qyteti po mendon për ndeshjen e Champions. Duhet të dëshmojmë se jemi në gjendje të ecim përpara, duke siguruar kualifikimin përballë Dinamos. Skuadra është në një gjendje të mirë psikologjike dhe jemi të gatshëm për një fitore sot”. Për shkak të dëmtimeve për ndeshjen me Dinamon, Sherif nuk do të ketë në dispozicion Andre Diedhiou dhe Miral Samarxhiç. Tekniku i moldavëve ka folur edhe mbi cilësitë e Dinamos. “Para së gjithash, ata kanë një sulm të fortë. E kanë treguar këtë në kampionatin shqiptar. Ekipi përbëhet nga disa lojtarë, të cilët luajnë në radhët e kombëtares së Shqipërisë. Kanë disa individualitete, të cilët mund të shndërrohen në rrezik për ne. Por, gjithsesi, kanë edhe disa mungesa në krahasim me ekipin e shpallur kampion. Neve na duhet të shfrytëzojmë dobësitë e kundërshtarit në mbrojtje. E respektojmë kundërshtarin tonë, por unë kam besim se djemtë e mi do të dinë të bëjnë më të mirën në këtë sfidë”, pohoi trajneri i Sherif Tiraspolit. I pyetur nëse e gjykon skuadrën kundërshtare më të dobët se sa të tijën, tekniku Sosnitski ka nënvizuar “se këtë do ta tregojë fusha më mirë, pasi sot nuk ka më skuadra të forta apo të dobëta. Për sa u përket shanseve për të kaluar turin, unë them se janë 50 me 50. Të dyja ekipet janë ambicioze dhe të dyja duam të arrijmë një rezultat pozitiv”. Moldavët kanë përforcuar ekipin me disa blerje të reja si Ognena Vranjes në mbrojtje dhe Nelson Fred në mesfushë. Për sa i përket objektivit, tekniku i Tiraspolit nënvizon: “Ne do të synojmë fitoren, ndaj është e sigurt se do të luajmë në sulm në kërkim të golit, por në asnjë moment nuk duhet të harrojmë mbrojtjen. Do të më kënaqte çdo fitore, por pa pësuar gol”, përfundoi konferencën për shtyp trajneri Sosnitski.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›