E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions League, Sampdoria përballë testit Verder Bremen

Shorti i fazës “play-off” ka rezervuar mjaft sfida interesante

Shorti i djeshëm në zyrat qendrore të UEFA-s në Nion të Zvicrës, ka rezervuar mjaft duele interesante për fazën “play-off” të Champions League. Sfida më e fortë do të jetë padyshim ajo ku Sampdoria do të luajë me gjermanët e Verder Bremenit. Një përballje që në letër duket mjaft e vështirë, por italianët shpresojnë se do të sigurojnë pjesëmarrjen për herë të parë në fazën e grupeve të aktivitetit më prestigjioz për klube në kontinent. Ndërkohë, Totenhami, një tjetër skuadër e njohur, por debutuese në Champions, do të ndeshet me surprizën zvicerane, Jang Bojs. Superfuqia ukrainase, Dinamo e Kievit, do të përplasë brirët me Ajaksin, fitues të trofeut më të rëndësishëm për klube në vitin 1995. Edhe derbi iberik ndërmjet spanjollëve të Seviljas dhe portugezëve të Sporting Braga pritet të jetë një tjetër ndeshje interesante. Sipas ndryshimit të bërë nga Mishel Platini, që prej periudhës kur mori drejtimin e UEFA-s, ndeshjet “play-off” do të luhen të ndara në dy grupe. Dhjetë skuadra luajnë në grupin e kampionëve (klubet që kanë fituar ligat në shtetet respektive), ku pesë fitueset do të kualifikohen në fazën e grupeve. Më pas vijnë dhjetë skuadra, që militojnë kryesisht në ligat më të mëdha europiane, në grupin e jokampionëve, të cilat duhet t’i nënshtrohen të njëjtit test. Në përfundim, fitueset e dhjetë çifteve të kësaj faze do t’u shtohen 22 skuadrave që kanë siguruar kualifikimin direkt në fazën e grupeve (ndeshjet startojnë më 14 shtator) për edicionin e ardhshëm në Champions League.

“Të voglat”

Për sa u takon dhjetë ekipeve kampione, ky është shansi që vendet më pak të përfaqësuara në futbollin që ka rëndësi, të luajnë në fazën e grupeve. Gjatë sezonit të kaluar, Debrecen (Hungari) dhe APOEL (Qipro) realizuan ëndrrën për të luajtur me ekipet më të mëdha në kontinent: të njëjtën gjë shpresojnë ta përsërisin edhe klubet më të vogla, si sllovakët e Zilinas. Ndërkohë, skuadra më pak e kuotuar e kësaj faze, Sherif Tiraspol (që fillimisht eliminoi kampionët e Shqipërisë, Dinamon dhe më pas ata të Kroacisë, Dinamon e Zagrebit) shpreson t’i dhurojë për herë të parë Moldavisë pjesëmarrjen në fazën finale të Champions League. Kjo skuadër ka ambicie për të çarë në Europë, por më parë Sherifi duhet të masë forcat me Bazelin. Sparta e Pragës do të përballet me Zilinan, Rosenborgu me FC Kopenhagen, ndërsa Salcburgu luan kundër Hapoel Tel Aviv. Së fundmi, gjigantët serbë të Partizanit të Beogradit do të sfidojnë belgët e Anderlehtit.

“Big”-ët

Grupi i dytë i fazës “play-off” është dukshëm më i fortë. Sevilja është një prej peshave më të rënda të kontinentit, Verder Bremeni nuk ka nevojë për reklamë, Totenhem paraqitet pas një sezoni të suksesshëm në Premier League, Zenit St. Petersburg është fituese e Europa League, ndërsa Akajsi ka triumfuar në Champions 15 vjet më parë. Këto ishin vetëm skuadrat pretendente, ndërsa në vazon tjetër ndodheshin emra si Dinamo e Kievit, Sporting Braga, Sampdoria, Okser dhe Jang Bojs. Sfidat e jokampionëve janë të gjitha mjaft interesante, por përplasjet më të forta cilësohen padyshim Verder-Sampdoria dhe Dinamo e Kievit-Ajaks.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›