Loriku: Tifozëve serbë ua dhashë përgjigjen në fushë
Edhe pse nuk është në formë optimale, trajneri Frenk Rajkard e aktivizoi përgjatë gjithë ndeshjes në sfidën e turit të tretë eliminator të Europa League, që Gallatasarai fitoi 5-1 në fushën e OFK Beograd. Lorik Cana nuk zhgënjeu, në një sfidë ku presioni për të ishte i jashtëzakonshëm. Një kosovar që del fitues nga kryeqyteti serb nuk është diçka që mund të anashkalohet. 27-vjeçari është pritur ashpër nga tifozët në Beograd, duke u fërshëllyer sa herë që kapte topin, por ai nuk është shqetësuar aspak dhe deklaron: “Përgjigjen time ua dhashë në fushën e lojës”.
Lorik, çfarë mund të thoni për ndeshjen e fituar me OFK Beograd?
Kur fiton me shifra kaq të thella, nuk ka asnjë dyshim që ndihesh shumë mirë. Të gjithë te Gallatasarai prisnin përgjigjen tonë pas barazimit 2-2 dhe natyrisht kualifikimin. Me fitoren kundër OFK Beograd realizuam vetëm detyrën tonë, pasi vazhdimi i aventurës në Europa League ishte objektivi kryesor.
Sa herë që kishit në zotërim topin, tifozët ju fërshëllenin. Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk janë sekret. Si do ta komentonit këtë sjellje?
Nuk preferoj të shpenzoj shumë kohë për çështje të tilla. Në fakt, këto gjëra nuk janë normale dhe nuk duhet të shihen nëpër stadiume. Megjithatë, për mua nuk ka shumë rëndësi. Siç e kam thënë edhe më parë, jam maksimalisht i përqendruar vetëm për të dhënë kontributin tim për Gallatasarain; ta ndihmoj klubin që të arrijë suksese dhe të fitojë trofe. Mendoj se atyre tifozëve ua dhashë përgjigjen më të mirë në fushën e lojës.
Pesha juaj fizike vazhdon të jetë objekt debati. A jeni në formën optimale?
Vi nga një periudhë e gjatë pushimi dhe natyrisht që gjatë kësaj kohë kam shtuar disa kile. Gjithsesi, mund të them se po përmirësohem pas çdo jave që kalon. Jam i bindur se do të jem në peshën time ideale në momentin kur do të nisë kampionati. Për sa i takon anës fizike, mund të them se nuk ndihem ende në 100 për qind të formës. Por, brenda një kohe shumë të shkurtër do të jem në formën optimale dhe peshën ideale.
Përgatiti: Erald Kodheli
#