E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, Moratit i soset durimi me Murinjon

MILANO- Interi ka mbushur sot, më 22 tetor, një vit nga fitorja e fundit e arritur në Champions League. Skuadra zikaltër triumfoi ndaj qipriotëve të Anorthosis Famagusta falë një goli të shënuar nga braziliani Adriano me kokë në portën e Beqajt. Edhe pse arrin të dominojë në Serinë A italiane, Interi në Champions vazhdon të mbetet zhgënjyes. Paraqitja e së martës ndaj Dinamos së Kievit konfirmon gjithçka, por në krahun tjetër ngre pikëpyetje të mëdha edhe mbi aftësitë e Hoze Murinjos. Presidenti Morati deri më tani e ka mbrojtur dhe teknikun dhe skuadrën, por është e qartë se portugezi u mor pikërisht për të triumfuar në Ligën e Kampioneve, një kompeticion që mungon prej vitit 1965. Në shtypin italian shkruhet se Moratit i është sosur durimi me teknikun, që aktualisht është më i paguari në botë. Sikur të mos mjaftojë kjo, në mediat angleze bëhet e ditur se Murinjo është një nga alternativat kryesore për të marrë pankinën e Liverpulit, pasi Rafa Benitez është në dyshim serioz për shkak të 4 humbjeve radhazi mes kampionatit e Champions League. Përpos kësaj, prova kryesore për Murinjon do të jetë ndeshja në Kiev ndaj Dinamos së Shevçenkos, që në “San Siro” ishte shumë pranë mrekullisë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›