E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona: Sharjet? Mamaja ime më ka falur

ARGJENTINE- Ka pesë vjet që nuk marr drogë dhe nuk frekuentoj diskotekat. Ndoshta pak më shumë. Jeta ime tashmë është kombëtarja argjentinase. Diego Armando Maradona është rrëfyer kështu në një intervistë dhënë rrjetit televiziv “Canal 7” në Buenos Aires”. “Nëse ekipi përfaqësues do të kishte mbetur jashtë Botërorit, i pari që do “pushkatonin” isha unë”, - ka deklaruar Maradona, duke komentuar vështirësitë e hasura nga Argjentina e tij për të siguruar pjesëmarrjen në turneun e Afrikës së Jugut. Por, ajo që u ka lënë të gjithëve një shije të keqe, ishte shfryrja e një jave më parë ndaj gazetarëve argjentinas, të cilëve iu drejtua me një seri shprehjesh vulgare, ç’ka solli edhe nisjen e një procedimi nga FIFA. “U kërkova falje zonjave, - sqaroi Maradona. – Ishte thjeshtë një shfryrje e momentit, por nuk pendohem. Unë pyeta “Totën”, mamanë time, nëse kisha gabuar dhe isha gati t’i kërkoja falje. Por, ajo më tha se isha në rregull”. Maradona shtoi gjithashtu se “kam dhënë gjithçka për kombëtaren, si futbollist dhe si trajner”, duke bërë të ditur se do të flasë edhe me disa nga lojtarët kryesorë të ekipit si Mesi, Veron, Maskerano apo Hajnze, për të sqaruar rendimentin e dobët në eleminatore. Ish-“Pibe de Oro” ka mbrojtur i vendosur edhe presidentin e Federatës Argjentinase Hulio Grondona, ndërsa akuzoi menaxherin e kombëtares Karlos Bilardo se organizoi një komplot për ta rrëzuar atë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›