E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Champions, çfarë magjie!"

Filipo Inzagi është gati të përballojë sezonin e ri europian me stimuj të ri. Sfida fillon sot në mbrëmje me Benfikën: "Shpresojmë t'u dhurojmë tifozëve tanë një mbrëmje të madhe. Te Dida kam besimin maksimal". Pipo Inzagi, apo "Mister Wolf (Zoti Ujk) i Milanit, është ai që zgjidh problemet, pavarësisht moshës së tij 34-vjecare. Inzagi u fut kundër Sienës kur loja ishte duke u zhvilluar, por tregoi shumë kundër bardhezinjve, edhe pse ndeshja u mbyll në barazim, me golin e shënuar nga Alesandro Nesta.
TË SHOHIM PËRPARA – Siena tashmë bën pjesë në albumin e kujtimeve. Jeta e Milanit të detyron të mendosh për Ligën e Kampioneve. Inzagi është një pjesë e rëndësishme e formacionit kuqezi. "Ah, për mirë apo për keq, këtu te Milani nuk ke shumë kohë të mendohesh për atë që të ka ndodhur. Duhet gjithmonë të shikosh përpara. Dëshiroj që me Benfikën skuadra jonë të riniset nga dopieta ime në finalen e Athinës, apo dhe nga finalja e Superkupës në Montekarlo".
ADRENALINA – Ndalimi në kampionat konfirmoi edhe përzgjedhjen e Milanit për trofeun maksimal kontinental. Inzagi ka shpjegimin e tij: "Liga e Kampioneve është një kompeticion special. Një manifestim magjik për gjithcka që ndodh rreth saj dhe për emocionet. Shpresojmë t'u dhurojmë tifozëve tanë një ndeshje të madhe". Është logjike, pasi kampionët në fuqi të Europës presin një provë force me skuadrën portugeze, që nga ana e saj kërkon të bëjë të pamundurën kundër kuqezinjve. "Përgjegjësitë rriten, por këto skuadra nuk më kanë shkaktuar kurrë frikë. Janë ndeshje të mbushura me emocione, e ndiej që tani një lloj adrenaline, pasi Milan-Benfika në "San Siro" është një ndeshje speciale. Unë jam mirë, por shpresoj që dhe Milani të jetë kështu: kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne shpresojmë sërish të jemi protagonistë në Europë, megjithatë duhet edhe pak fat. Në këto vite, Milani është ambientuar mirë, kështu që shpresojmë të dhurojmë mbrëmje të tjera të rëndësishme". Do të duhet shumë kujdes dhe një Dida, që gaboi keq në golin e Makarones të Sienës, përbën një problem. "Gabime u ndodhin të gjithëve, sulmuesve dhe portierëve. Kundër portugezëve - ju siguroj - do të jetë i madh".
RUI KOSTA – Në Milano mbërriti edhe Manuel Rui Kosta, tashmë në radhët e Benfikës. "Jam shumë i emocionuar. Kthehem në stadiumin ku luajta për pesë vjet dhe rigjej skuadrën me të cilën u bëra kampion i Europës". Lot të portugezit, por dhe kujtime të bukura, pasi si profesionist që është do të jetë në fushë kundër skuadrës që e bëri të famshëm. "Besoj se Milani është skuadra më e fortë në botë. Forca e tij qëndron te grupi, por, nga ana tjetër, nuk janë të pathyeshëm. Benfika do të luajë kartat e saj". Inzagi psherëtin: "Nga Manuel kujtoj asistet e shumta që më kanë dhënë. Do ta rishoh me kënaqësi".
STATISTIKA - Milani, që ka arritur të fitojë përballë Benfikës në dy finale të Ligës së Kampionëve, ka humbur tre prej 17 ndeshjeve të fundit të luajtura përballë skuadrave portugeze. Milani ka humbur dy prej 20 ndeshjeve të fundit të Ligës së Kampionëve, të luajtura në fushën e tij. Benfika ka humbur shtatë prej tetë ndeshjeve të fundit që ka luajtur me skuadra italiane jashtë fushës së saj. Benfika ka fituar vetëm një prej 15 ndeshjeve të Ligës së Kampionëve që ka luajtur jashtë fushës së saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›