Skënder Gega: “Historikisht shqiptarët janë ndëshkuar”

U qëllon shqiptarëve të digjen, sepse ecuria, rezultatet, vështirësitë e një ndeshjeje si ajo e së mërkurës kundër Holandës fusin në një rrugë pa krye dhe qesharake jo pak herë edhe gjyqtarët. Nuk mendoj se janë në atë nivel që të lejojnë që një lojë të kthehet në një komedi. Të bën të qeshësh, por dhe të vjen keq për këta servilë të ekipeve të mëdha. Me bindje them se momentin e parë që iu jepet e shfrytëzojnë për t'u dalë në krah "Yjeve të përzgjedhur të Europës". Futbolli është një lojë kaq e bukur, që tregon vlerat individuale dhe të ekipit, por mjafton një gjykim si ai i ndeshjes midis Shqipërisë dhe Holandës dhe e kthen në një zhgënjim. Nuk mund të mos revoltohesh, kur shikon që një person i papërgjegjshëm ka në dorë fatin e një ndeshjeje. Dua të rikujtoj për disa caste kur unë luaja me Partizanin. Në vitin 1987 luajtëm me Benfikën për Kupën e Kampioneve, atë kohë një nga ekipet më të forta në Europë. Fillimi i komedisë ishte pritja në aeroport kur na mbajtën mbi 5 orë pa asnjë arsye dhe drejtuesit e klubit të Benfikës nuk ndërhynë, por shpresonin të rrinim më gjatë, vetëm që të shërbente për të mirë të tyre. Nuk patëm asnjë problem me kushtet, ata ishin të vetmit që shkruanin nëpër gazeta, për konsumimin e madhe të ujit të gazuar dhe "Coca-Cola"-s, për të ardhur keq për gjithë atë klub, konsumimi i pijeve freskuese po i shkatërronte "buxhetin". Donin me doemos të gjenin dicka që ne si ekip të corientoheshim. Me fillimin e ndeshjes, shumë shpejt u pa se as nuk bëheshe fjale për një ndeshje të lehtë, për 45 minuta nuk iu dhamë asnjë shans, përkundrazi ne rrezikuam dy herë me anë të Ylli Shehut. Legjenda e portës shqiptare, Perlat Musta, ishte në një formë të mrekullueshme. Ishim të uritur në atë kohë të luanim me një ekip të këtij niveli. Neptun Bajko kishte djersitur shumë dhe sakrifikuar, që të krijonte atë ekip. Gjithcka ndryshoi në pjesën e dytë. Gjyqtarët ndryshuan 300 % mënyrën e arbitrimit, deri sa dolën haptas në favor të Benfikes, duke ndëshkuar katër lojtarë tanë me të kuqe, pa asnjë arsye. Të krahasohet me vendimin e albitrit ndaj Canës, do mendonim që arbitri ishte në favor me ne, mendoni sa më keq ishte gjykimi i asaj ndeshjeje. Gjyqtari haptas reflektonte një mosrespekt ndaj nesh, që bënte që mundi, djersa, devotshmëria të shkonin kot. Ne dhamë maksimumin tonë në atë ndeshje, për të arritur një rezultat pozitiv, që na ndihmonte në ndeshjen e kthimit në Tiranë. Komedia nuk mbaroi me kaq. Ishin "Gjeneralët e ushtrisë së vdekur" që në atë kohë drejtonin ekipin e Partizanin, që nuk u mjaftuan me padrejtësitë që na bëri UEFA, duke na dënuar, por i shtuan dënimet e tyre ndaj lojtarëve dhe trajnerëve. Paaftësia dhe servilizmi, gjithmonë kanë mënyrën e vet për t'u dukur. Neptun Bajko ishte i pari që e provoi në kurriz, një nga reformatorët e futbollit shqiptar dhe një trajnerët më të suksesshëm të asaj kohe. Perlat Musta, një nga portierët më të mirë që ka patur Shqipëria ndonjëherë, u dënua duke i kushtuar kombëtares shqiptare shumë. Gazetarit shqiptar që ndoqi ndeshjen nga afër, G. Sinomati, nuk iu lejua botimi i artikullit që pasqyronte ndeshjen dhe realitetin "mëkatar". E si mund të harroj ndeshjen kundër Anglisë më 1989-ën. Ndeshja ishte 1-0 për Anglinë dhe Sulejman Demollari shënon golin e barazimit, që anulohet pa të drejtë nga arbitri. Pse? Sepse ishte Anglia e "madhe" që luante me një ekip të "vogël". Shumë herë dëgjohen deklarata të trajnerëve dhe drejtuesve të ekipeve që thonë: nuk ka me ekipe të mëdha dhe të vogla. Pas 20 vitesh, ndoshta kjo është e vërtetë për sa i përket luftës sportive midis ekipeve, por për sa i përket gjykimit kjo thënie nuk është e vërtetë. Ndeshja e 12 shtatorit, 2007 e tregoi se akoma ka ekipe të "mëdha" që u takon gjithcka dhe ekipe të "vogla" që s'u takon asgjë. Kam shpresë që në vitin 2007 të mos kemi "gjeneralë" në FSHF. Shpresoj që të ngrejnë zërin e tyre sado të mbytur ta kenë, që të kundërshtojnë vendime të padrejta në instancat më të larta, UEFA. Nuk duhet lejuar që mundi dhe puna e ekipit të merret nëpër këmbë. Urimet më të përzemërta për trajnerin Baric dhe lojtarët. Bënë një lojë të mrekullueshme. Uroj që të vazhdojnë kështu.
Tema