Nis magjia e Ligës së Kampioneve

Sot në mbrëmje (20:45), me tetë ndeshjet e para do të nisë sezoni i ri i Ligës së Kampioneve. Që në ndeshjet e para në fazën e gupeve, përballjet do të jenë me të vërtetë shumë interesante. Në Grupin D, Milani, që është skuadra kampione në fuqi, përballet me Benfikën, fituese të këtij kompeticioni në dy raste. Në krahun tjetër, Liverpuli, që vjet arriti deri në finalen e Athinës, do të përballet me Porton, skuadër e cila e ka fituar për herë të fundit këtë kompeticion në 2003-shin. Milani është përballur edhe më parë me Benfikën. Kuqezinjtë kanë fituar dy herë në finale përballë Benfikës dhe në fushën e lojës, edhe këtë radhë do të zbresin për të marrë një rezultat pozitiv. Udhëtimi i Liverpulit, të forcuar me Fernando Torres në Portugali, duket se nuk do të jetë vetëm një shëtitje për skuadrën e drejtuar nga Rafael Benitez. Liverpuli do të përballet me Porton, ndërkohë që duhet pranuar se kjo skuadër nuk fiton në Portugali prej 23 vjetësh. Me Spanjën, Torres ka luajtur gjithnjë shumë mirë, por tashmë ai duhet t'i provojë cilësitë e tij në Ligën e Kampionëve. "Që të gjithë duan të luajnë në Europë, pasi në këtë mënyrë kanë mundësi të hyjnë mes më të mëdhenjve. Shansi të luaj në Ligën e Kampionëve me lojtarë të tjerë shumë të mëdhenj, është ajo që ka më shumë rëndësi. Unë dua të jap kontributin tim duke shënuar sa më shumë", - shprehet Torres. Edhe rivalët e Portos në kampionat, Sportingu i Lisbonës, do të ketë një test shumë të rëndësishëm përballë një skuadre angleze, Mancester Junajtid. Këto dy ekipe do të vihen përballë njëri-tjetrit të mërkurën. Që të dyja këto skuadra kanë probleme me dëmtimet përpara kësaj ndeshjeje. Mikael Silvestre, i cili pësoi një dëmtim në sfidën kundër Evertonit, do të qëndrojë larg fushave të lojës deri në fund të sezonit. Në krahun tjetër, Sportingu nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin Derlei, i cili gjithashtu ka probleme në ligamentet e gjurit.
32 ekipet e ndara në tetë grupe me nga katër ekipe kanë prodhuar përballje interesante. Milani, fituesi i fundit i Ligës së Kampioneve, do të fillojë mbrojtjen e titullit kundër një tjetër fituesi, portugezët e Benfikës, ndërkohë që në grup ka dhe Sëlltikun e Glllazgout dhe ukrainasit e Shahktarit të Donetskut në Grupin D. Liverpuli, pesë herë kampion i Europës, ka në Grupin A , Olimpikun e Marsejës, të vetmin ekip francez që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve, Porton, kampionen e dyfishtë dhe turqit e Beshiktashit. Interi, kampioni në fuqi i Italisë, që e ka fituar dy herë trofeun më të rëndësishëm europian për klubet, do të përballet me holandezët e PSV Eindhoven (njëherë fitues), rusët e CSKA-së së Moskës dhe turqit e Fenerbahces. Në vështrim të parë, në letër, duket se zikaltërit i kanë të gjitha mundësitë për të kapur një nga dy vendet e para që të con në fazën me "nokaut", por surprizat, sidomos nga ana e rusëve, duhen marrë seriozisht. Në Grupin H, Sevilja është në grup me Arsenalin, finalist i edicionit 2005-2006, rumunët e Steauasë dhe Slavia së Pragës, që eliminoi në turin e tretë Ajaksin e Amsterdamit. Takime interesante pritet të prodhojë cifti i Grupit F, Mancester Junatid-Roma, që u ndeshën edhe edicionin e kaluar në fazën me eliminim direkt. Bashkë me ta në këtë grup janë dhe Sportingu e Dinamo e Kievit.
NDESHJET
Takimet e para në grupe do të luhen më 18/19 shtator, 2/3 tetor, 23/27 tetor, 6/7 nëntor, 27/28 nëntor dhe 11/12 dhjetor, përvec takimit të fundit të Milanit, që do të luhet më 4 dhjetor, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në Kupën e Botës për Klubet. Fituesit dhe vendet e dyta të cdo grupi do të progresojnë për raundin e parë me "nokaut", ndeshje që do të zhvillohen gjatë pranverës së ardhshme, ndërkohë që finalja do të luhet në Moskë, më 21 maj. Ekipet që përfundojnë në vendin e tretë do të ngushëllohen me një pjesëmarrje në raundin me 32 ekipe të Kupës UEFA.
Juande Ramos (Sevilja)
"Unë shpresoj që ne të jemi gati. Në kemi fituar dy herë Kupën UEFA. Kemi pasur dy sezone të mrekullueshme dhe tani kemi një sfidë të re në Ligën e Kampioneve. Shpresoj që ne të kemi një sukses të ngjashëm. Edhe pse nuk kemi luajtur në të tillë nivel më përpara, kemi dëshira të mëdha"
Roberto Mancini (Inter)
"Liga e Kampioneve është prioriteti ynë për këtë sezon. Është një kompeticion shumë i fortë sa që është e vështirë të thuash më përpara që ti do ta fitosh atë. Ka shumë skuadra të forta në këtë garë dhe nuk do të jetë e lehtë që ta realizojmë objektivin tonë. Interi është i përgatitur shumë"
Arsen Venger (Arsenal)
"Ajo cfarë ne presim në fillim është që të kualifikohemi nga grupi. Pastaj fillon e shpreson për një rezultat që të lejon të shkosh sa më larg të jetë e mundur. Unë besoj se do të kualifikohemi nga faza e grupeve dhe pastaj ne të luajmë mirë, pasi cilësia e këtij kompeticioni përmirësohet nga viti në vit"
Valter Smtih (Rejxhërs)
"Është një grup me të vërtetë shumë i fortë. Nuk besoj se ne do të kishim mundësi të gjenim një më të fortë. Shtutgardi në sezonin e kaluar arriti që të fitonte në nga kompeticionet më të vështira në Europë, Bundesligën. Ne kemi një skuadër të re dhe kemi për të bërë punën tonë mirë"
Karlo Anceloti (Milan)
"Duam të arrijmë në finale edhe pse që të përsëritet e njëjta gjë është tepër e vështirë në një kompeticion si ky. Por ky është një stimul, jo një shqetësim. Vitin e kaluar forca ishte vetëdija në mjetet tona, jemi të njëjtët, do të jetë kështu edhe tani. Liga e Kampioneve mbetet gjithmonë objektivi ynë kryesor"
Liga e Kampioneve
Sot, te marten 20:45
Grupi A
Marsejë-Beshiktash
Porto-Liverpul
Grupi B
Celsi-Rozenborg
Shalke-Valencia
Grupi C
Reali i Madridit-Bremen
Olimpiakos-Lacio
Grupi D
Milan-Benfika
Shahktar-Sëlltik
Nesër, te merkuren
Grupi E
Rejxhërs-Shtutgard
Barcelona-Lion
Grupi F
Roma-Dinamo Kiev
Sporting-Man.Junaitid
Grupi G
PSV-CSKA Moskë
Fenerbahce-Inter
Grupi H
Arsenal-Sevilja
Sllavia-Steaua