Champions tension ne pritje te shortit

Schalke dhe Shakhtari do të jenë “hirushet” e shortit të nesër, skuadra që të gjithë të mëdhatë e Europës shpresojnë që fati t’u vendosë përballë, por është e sigurt se çerekfinalet do të ofrojnë disa sfida midis superfuqive të kontinentit.
Në këtë fazë të kompeticionet nuk ka më asnjë kusht në hedhjen e shortit, prandaj secili ekip, edhe ato brenda një shteti, mund të përballen me njëri-tjetrin.
Ashtu si në vitet e fundit, në rrugën drejt finales së “Wembley”-t dominojnë ekipet angleze. Manchester United, Chelsea dhe Tottenham kanë vendosur kandidaturën për finalen që zhvillohet në tokën e tyre, me disa paraqitje të shkëlqyera deri në këtë pikë të Champions League.
Dy janë skuadrat spanjolle, Barcelona dhe Reali, të cilas kuotohen nga shtëpitë e basteve si dy favoritet kryesore për suksesin përfundimtar në këtë kompeticion.
Në lojë ka mbetur edhe Interi kampion në fuqi, ndërsa gjermanët e Schalke dhe ukrainasit e Shakhtar do të përpiqen të shtyjnë sa më gjatë ëndrrën e tyre për të vënë dorë mbi trofeun.