Chavez: Beteja ime ndaj kancerit po përparon

Pa dhënë detaje rreth gjendjes së tij shëndetësore, presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, theksoi se beteja e tij kundër kancerit është “duke përparuar”, ndërsa u rikthye në vend pas një seance të tretë kimioterapie në Kubë.
Në mbërritjen e tij, Chavez mori pjesë në një takim politik në pallatin presidencial në Karakas, për të përkujtuar 10-vjetorin e një grushti të shteti, që e largoi për një periudhë të shkurtër nga pushteti.
57-vjeçari pritet të rikthehet në Kubë edhe për dy seanca të tjera trajtimi. Nuk është ende e qartë nëse ai do të ketë mundësi që të marrë pjesë në samitin e Amerikës, një takim me natyrë politico-ekonimike, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Kolumbinë fqinje.
”Gjithçka do të varet nga gjendja e tij shëndetësore dhe ajo që do t’i këshillojnë mjekët të bëjë”, deklaroi presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, i pyetur rreth pjesëmarrjes së Chavez në këtë takim.
Chavez, është në pushtet që prej vitit 1999, dhe do të kërkojë në këto zgjedhje një mandat të ri 6-vjeçar, për të thelluar programin e tij të “revolucionit social”.