Serbia nuk dorëzon xhipin dhe armët e policëve të arrestuar

Ministrit serb të Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, duket se i kanë pëlqyer shumë xhipi dhe armët e dy policëve kufitarë të Kosovës, që u arrestuan nga xhandarmëria serbe më 31 mars në fshatin Dumnicë të Podujevës, afër kufirit me Serbinë.
Daçiç ende është duke mbajtur automjetin e policisë, dy pushkët automatike, dy revolet, e pajisjet tjera, të cilat i kishin dy policët kufitarë, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ditën e arrestimit.
Ministri serb ka liruar dy policët kufitarë në fillim të javës që shkoi, më 3 prill, por nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të dorëzojë edhe xhipin dhe gjërat e tjera që mbanin policët. Pas lirimit ata kishin me vete vetëm uniformën e tyre.
Një burim brenda Policisë së Kosovës ka thënë për “Kohën Ditore” se të dy policët kufitarë të Kosovës po patrullonin me xhipin (donacion nga Komisioni Evropian), para se të arrestoheshin.